LAJMI I FUNDIT:

100 vjet pavërtetësi

Kallaj është të thuhet se po festojmë 100 vjet shtet shqiptar.

Po ashtu e lehtë është t’i ngritim e t’i madhërojmë protagonistët, t’ju ngremë lapidarë e mauzole. T’i shpallim heronj e tradhtar. Filani me Italinë e tjetri me Austro-Hungarinë apo Greqinë, njëri muhamedan e tjetri kristian. Të sotmit zogista e enverista, spiunë të Jugosllavisë e komunista, majtistë e djathtistë… rugovista e thaqista…


Ec e biri n’fije.

Te mjerët ne, të përvuajtur e te hequr zi e ma zi, të etur për heronj sepse tradhtar kemi pasur me bollëk! E qe besa kemi ende. Unë tradhtar i quaj ata që nuk na e thanë asnjëherë të vërtetën. Të vërtetë i quaj vetëm ata që ndriçuan në gjithë këtë errësirë, rilindësit.

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, dhe vdiq nga politikanët”, me vend e tha Faik Konica.

Janë pikërisht politikanët, mbretët, shokët e liderët që na prunë në këtë gjendje. Por, fatkeqësisht edhe këta mendjendritur i kemi shndërruar në mite.

Kush paska faj në gjithë këtë katrahurë? Turku, shkau, komunizmi apo demokracia… ndoshta për dikë edhe vet Zoti!

Unë them shqiptari.

Ky është fajtori për gjithë këtë plagosje, por është fajtori edhe për këtë mbijetesë në fije peri. Më duket se vetëm indianët i kemi mangut pa ju bërë rezistencë, sepse kemi luftuar me krejt, përfshirë edhe vetveten. Këtë të fundit akoma se kemi fituar, e dyshoj se do ia arrijmë! Kush e di, ndoshta paraardhësit tanë kanë luftuar edhe me indianët, sepse loja me “strella” e ka një origjinë! E kur jemi të origjina, ne jemi “o”-ja, të parët… “dem baba dem”. Krekosemi e krenohemi me këtë e në anën tjetër ulim vajtojmë copëtimin dhe gjithë këtë jetë, iliri e dardani, arbëri e shqiptari, kërkojmë vetëm një gjë: fajtorin.

Por, ne e kemi fshehur aq mirë. Një fjalë dinake thotë “fshehtësinë mbaje aty ku nuk shkon mendja fare”. E ku i shkon mendja shqiptarit ta fajësoj vetveten për gjithë këtë tragjedi?!

Ju o serbët e djallëzuar, e ju o evropianët e trazuar, mos keni dert që kemi mbijetuar kaq gjatë, mijëra vite… Edhe disa mijëra të tjera do t’ju lemë rehat, do të zhdukemi, do të shkojmë në ahiret, do të luftojmë për pushtet edhe në gjenet!

Parimi më i rëndësishëm sokratik është ta njohim vetveten. Njohja e botës dhe ndryshimi i saj fillon nga vetvetja. Kështu duke njohur vetveten gjithmonë do të jemi më afër të vërtetës. Duke njohur të metat, të mirat e të këqijat, gënjeshtrat e të vërtetat. Por, për shqiptarin e vërteta është e hidhur.

Ta themi hapur bre njëherë e mirë se kush jemi!

Akademik e historianë, njëri qet teza e tjetri mbiteza.

Politikan secili ma i mirë se tjetri. Armiq të shumtë, por më i madhi vetvetja. Të krishterë e myslimanë, secili nga një Zot për veti. Shqiptarë e kosovarë, secili ma atdhetarë se tjetri
Intelektual me të vërteta shifrore. Të gjithë më të mençur se të gjithë…

Prizreni nuk duhet më ta thërras Shkodrën e Tiranën për me e gëzua nanën, por për me e thanë të vërtetën! Jemi shumë, por s’jemi asnjë…

“Amicus Albanian, sed magis amica veritas”