LAJMI I FUNDIT:

10 përshtypjet e Besnik Bislimit nga debati në Kuvend mbi programin e Qeverisë Kurti 2

10 përshtypjet e Besnik Bislimit nga debati në Kuvend mbi programin e Qeverisë Kurti 2

Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, ka komentuar diskutimet e deputetëve për programin e Qeverisë Kurti 2, për të cilin u debatua sot në Kuvendin e Kosovës.

Bislimi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kryeministri Kurti dhe një pjesë e ministrave, elaboruan para deputetëve dhe qytetarëve elementet kyçe të programit dhe prioritetet për katër vitet e ardhshme.

“Lëvizja Vetëvendosje i është futur fushatës së shkurtit 2021 me një program, i cili ka arritur të marrë rreth 50.28% të mbështetjes së qytetarëve të Kosovës (58% nëse ndajmë ulëset e rezervuara). Qeveria Kurti ndihet e obliguar ndaj këtyre votuesve, që të njëjtin program ta implementojë, andaj edhe këta votues kanë të drejtë të na kritikojnë dhe dalin me sugjerime sa herë të krijojnë përshtypjen që kemi devijuar nga këto premtime. Paradoksalisht brengat më të mëdha për “mos-zbatim” të programit nuk po vijnë nga votuesit e këtij programi, por nga kundërshtarët kryesor të tij”, ka shkruar Bislimi.


Postimi i plotë i Bislimit:

“DHJETË PËRSHTYPJE NGA DEBATI MBI PROGRAMIN QEVERISËS TË QEVERISË KURTI 2

Sot në Parlamentin e Republikës së Kosovës u debatua për programin qeverisës të qeverisë Kurti 2. Kryeministri Kurti dhe një pjesë e ministrave, elaboruan para deputetëve dhe qytetarëve elementet kyçe të programit dhe prioritetet për katër vitet e ardhshme. Nga diskutimet e deputetëve dhe reagimet e disave sosh dua të përzgjedh dhjetë momente më domethënëse:

1. Disa deputetë, përfaqësues të partive opozitare në vazhdimësi e cilësuan programin qeverisës të prezantuar më shumë si një listë dëshirash, duke aluduar këtu në pazbatueshmërinë e tij. Do të thotë se nuk e kontestonin substancën e tij, por nivelin e ambicies të shprehur në të. Mbase pa vetëdije, ata përmes këtyre komenteve i japin një kompliment të fuqishëm këtij programi. Ata, në fakt konstatojnë se ky program është tejet i mirë për t’u implementuar. Natyrisht se ne pajtohemi me kontekstin në të cilën ata e nxjerrin këtë konkluzion. Një subjekt politik i cili duke patur gjysmën e qeverisë në Kurti 1, nga 125 vendime qeveritare kishte hise në vetëm 11 sosh (apo 9 përqind), natyrshëm që e sheh atë si tepër ambicioz. Me ritmin e tyre të veprimit, do duheshin mbase 12 vite për implementimin komplet të tij.

2. U cekë nga z. Arben Gashi i grupit parlamentarë të LDK-së, që me 14 shkurt qytetarët kanë votuar për ndryshim, dhe ky mbase do mbahet mend si konstatimi i vetëm i saktë i këtij deputeti në 12 muajt e fundit. Një konstatim i tillë, edhe pse jo i ri, përsëritet në vazhdimësi nga të gjithë, si vendorët ashtu edhe ndërkombëtarët. Por nuk ka logjikë të konstatosh përcaktimin e qytetarëve për ndryshim, dhe të vazhdosh sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kur qytetarët kanë votuar me kërkesën për ndryshim, në qeveri kanë qenë shumica e duptetëve të tanishëm të LDK. Dhe mu këta, qytetarët kanë vendosur t’i largojnë nga vendimmarrja. Andaj është paradoksale që dy minuta pas konstatimit të përcaktimit për ndryshim, të dalë në foltore z. Bajrami, si ministre të cilën qytetarët kanë vendosur ta largojnë, dhe të shpërndajë këshilla se si duhet të veprojë ministri i ri i financave. Do ishte shumë më mirë që të njejtit deputetë mbase duke shikuar reprizat e seancave parlamentare (dhe involvimit të tyre në to) ta kuptojnë se si ka ardhe deri të rezultati i 14 shkurtit, dhe me pak fat edhe të projektojnë rezultatin e pritshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

3. U përsërit nga disa deputetë të opozitës brenga për “pakënaqësinë” me këtë program qeverisës e qytetarëve që kishin votuar për ndryshim. Paradoksalisht, deputetë si z. Haradinaj, vullnetarisht vendosin veten në rolin e avokatit mbrojtës të votuesve të VV, duke i “mbrojtur” ata nga qeverisja që ata kanë votuar. Duke aluduar kështu në një situatë të paspjegueshme, ku votuesit e VV shkojnë dhe “ankohen” tek Haradinaj dhe deputetët e tjerë të opozitës për deficitet e programit tonë qeveritarë.

4. Deri sot, të gjithë deputetët e opozitës janë ankuar për vonesat në sjelljen e programit në qeveri, për të parë dhe dëgjuar po sot, deputetin e LDK-së, z. Arben Gashi duke u ankuar për sjelljen e ngutshme të programit në kuvend. Madje duke pretenduar se ai po diskutohet fshehurazi në një seancë e cila po transmetohet live në TV. Kjo zhurmë për vonesa e ka një arsyetim brenda. Të gjitha qeveritë e kaluara kanë dalë në fushata zgjedhore me “programe” plot e përplotë ëndrra elektorale si përshembull rritje impresive ekonomike, zbutje deri në pambuk të papunësisë dhe varfërisë, liberalizim vizash e anëtarësim në organizata ndërkombëtare, rritje enorme pagash e të ngjashme, për t’i harruar komplet që të hënën e parë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Tek pas përfundimit të zgjedhjeve është ulur dhe shkruar “programi” katërvjeçar. Logjikisht që një veprim i ngjashëm është pritur edhe nga Vetëvendosje, dhe theksimi i të njëjtave prioritete nga Vevtëvendosje si para ashtu edhe pas zgjedhjeve, i ka lënë deputetët e opoztës me të vetmin skjarim të “logjikshëm”: atë se kemi të bëjmë me një listë dëshirash.

5. Lëvizja Vetëvendosje i është futur fushatës së shkurtit 2021 me një program, i cili ka arritur të marrë rreth 50.28% të mbështetjes së qytetarëve të Kosovës (58% nëse ndajmë ulëset e rezervuara). Qeveria Kurti ndihet e obliguar ndaj këtyre votuesve, që të njejtin program ta implementojë, andaj edhe këta votues kanë të drejtë të na kritikojnë dhe dalin me sugjerime sa herë të krijojnë përshtypjen që kemi devijuar nga këto premtime. Paradoksalisht brengat më të mëdha për “mos-zbatim” të programit nuk po vijnë nga votuesit e këtij programi, por nga kundërshtarët kryesor të tij.

6. Është shumë me rëndësi të theksohet rendi i gjërave, qeveritë si rregull fillimisht dalin me program e pastaj i kanë katër vite kohë për ta implementuar të njejtin. Sot, opozita po përpiqet ta kthej mbrapshtë sistemin, meqë po pret që ne fillimisht ta përmbushim programin në tërësi, e pastaj të vijmë me program qeverisës. Është e palogjikshme që sot në ditën e debatit për program të vlerësohet a është realizuar apo i realizueshëm ky program.

7. Asnjëri nga deputetët e kuvendit të Kosovs nuk është në pozicion të vlerësojë kualitetin e programit qeverisës. Këtë e bëjnë qytetarët përmes vendimit që e marrin tek kutitë e votimit. Si ne, ashtu edhe PDK, LDK, AAK apo NISMA, kemi nxjerrë para qytetarëve programet tona dhe jemi përpjekur të bindim qytetarët për superioritetin e programit tonë karshi konkurrentëve. Qytetarët nuk i kanë vlerësuar të gjitha programet e partive të sipër-përmendura bashkarisht as afër programit të Vetëvendosjes. Është vështirë e kuptueshme që disa deputetë, nga pozitat e subjekteve politike, programet e të cilave nuk kanë gëzuar as 15% mbështetje qytetare t’i japin vetes lirinë të dalin dhe ta sulmojnë programin që ka marrë mbi 50% mbështetje.

8. Në të kaluarën, koalicionet qeverisëse kanë parapëlqyer të flasin në stilin e Nostradamusit. Kanë qenë si rregull fraza të tipit: do ta rrisim punësimin për 120.000, do të kemi rritje ekonomike prej 5%, do ta kemi liberalizimin e vizave për 10 muaj, pa u brengosë fare me mungesën komplete të seriozitetit. Ne jemi në mes të pandemisë dhe askush nuk e di se kur do përfundojë pandemia, nuk e di sa do jetë gatishmëria e bizneseve për të përdorur instrumentet financiare në dispozicion nga pakoja e rimëkëmbjes; askush nuk mund ta parashikojë vëllimin e vizitave nga diaspora në sezonin veror, askush nuk ka idenë se sa do jetë vëllimi i projekteve që do kalojnë nëpër filtrat e fondeve të IPA 3, sa do jetë interesimi për investime në energji të ripërtëritshme, me çfarë shpejtësie do ecin para iniciativat e bashkëpunimit regjional dhe shumë e shumë veprime tjera nga të cilat derivon potenciali për rritje ekonomike dhe për gjenerim të punësimit. Andaj insistimi për shifra konkrete vetëm e shpërfaqë joseriozitetin e debatit. Për më tepër, Vetëvendosje nuk ka dalë në fushatë me shifra për rritjen ekonomike apo rritjen e punësimit, andaj edhe nuk ka logjikë që tash pas përfundimit të zgjedhjeve të dalë me qëndrime të ndryshme.

9. U potencua mungesa e informatave rreth masave konkrete, dhe në këtë rrafsh debati u banalizua deri në atë masë, saqë një deputetë i AAK dukej i habitur që nuk ka material të mjaftueshëm në program për atë se si do veproj qeveria nëpër ato shkolla ku në ndonjë klasë ka vetëm 5 nxënës. Duket sikur etja për informacione shkon deri aty sa deputetët e opozitës me shumë dëshirë do donin akses edhe në planet javore të takimeve të ministrave të linjës. Poashtu e habitshme që për një program që e vlerësojnë si listë dëshirash, në të njejtën kohë të kërkojnë sa më shumë informata për mënyrën e implementimit të tyre dhe afatet. Me këtë logjikë, programi ynë qeverisës do duhej të kishte edhe paragrafe si vijon: Në prill të vitit 2023, Ministria e financave do të takohet me përfaqësuesit e Bankës Botërore, dhe synimi i ministrit është të kërkojë financim prej 250 milionë dhe në fund të negociatave do të dakordohemi për 182.5 milionë, e të cilat pastaj do kenë efekt shtesë në rritjen ekonomike prej 1.06%.

10. Nga ish ministri i AAK u përmend brenga për koston e ndërtimit të 160 çerdheve për fëmijët nën moshën 6 vjeçare. Është e pashembullt kjo rezistencë për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve sidomos nga një ministër i cili nuk ka hezituar as edhe një minutë për t’ia dhënë 53 milionë euro dhuratë një biznesi të vetëm dhe atë të huaj. Për dijeninë e ministrit Lekaj, ndërtimi i 160 cerdheve kushton më pak se kjo dhuratë që ti pa asfarë hezitimi e ke transferuar në konton e fitimeve të një biznesi. Ngjashëm ishte edhe brenga e ish ministres së financave (për më keq edhe ish ministre e edukimit) për koston e “papërballueshme” të shtesave prej 10 euro në muaj për fëmijë (20 euro për ata nën moshën dyvjeçare). Brenga e saj ishte se shuma totale prej 60 milionë euro për pak më shumë barazi në shoqëri është shumë barrë për buxhetin e shtetit. E tha këtë pa pikë turpi ish ministrja e cila për vetëm 24 euro ia transferoi bizneseve më fitimprurëse fiks 60 milionë euro si dhuratë para zgjedhjeve. 10 euro për një fëmijë e në muaj po i duken shumë një ish minsitre e cila pa hezitim ia transferoi afërsisht 1 milionë euro një biznesi të vetëm me fitime mbiproporcionale në kohën e pandemisë”, ka shkruar Bislimi.

Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, të hënën prezantoi para deputetëve të kuvendit, programin qeverisës për vitet 2021-2025.

Ky program, sipas tij, synon të fokusohet në dy prioritete më urgjente: menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik, dhe lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Sipas kryeministrit Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

“Në këto 55 ditë kemi arritur të sigurojmë 74,100 vaksina, ndërsa deri në fund të këtij muaji do të kemi edhe 142, 530 vaksina të reja. Më këto dhe pritjet që kemi në muajin qershor, jemi në rrugë të mirë për të garantuar imunizimin e 60 për qind të popullsisë në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fund të vitit 2021”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se qeveria është e interesuar për debat me opozitën për shkëmbim të mendimeve dhe ideve rreth fakteve të përbashkëta që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zhvillojnë demokracinë.

Partitë opozitare kanë kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës të prezantuar nga kryeministri, Albin Kurti. Plani i qeverisë për katër vjet e ardhshme, sipas partive opozitare, nuk ka plan veprimi, është sipërfaqësor, jopërmbajtësore dhe nuk ka referencë të mbulueshmërisë financiare.

Partitë opozitare kanë kritikuar planin e qeverisë edhe në aspektin e shëndetit publik. Sipas opozitës, Qeveria e Kosovës është duke dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe sigurimin e vaksinave.

Nga partitë opozitare është kërkuar që ekzekutivi të japë një pasqyrë të qartë që Kosova do të ndiqte në dialogun me Serbinë./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori