Zyrtare: Man City nënshkruan me portierin Stefan Ortega

Klubi anglez, Manchester City ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e portierit gjerman, Stefan Ortega Moreno.
Kampioni aktual i Ligës Premier nuk po qëndron duarkryq në këtë afat kalimtar, pasi është angazhuar në përforcimin e skuadrës.
Pas transferimit të sulmuesit Erling Haaland, drejtuesit e klubit nga Etihad tashmë kanë transferuar edhe një portier.
Bëhet fjalë për 29-vjeçarin gjerman, Ortega, i cili i është bashkuar klubit si një transferim të lirë pasi i skadoi kontrata me Arminia Bielefeld.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë nënshkrimin e portierit Stefan Ortega Moreno për një marrëveshje trevjeçare. Mirë se vini në City, Stefan!”, shkruhet në njoftim.
Gjermani me përvojë forcon opsionet e portës të Cityt, pasi pritet të bëhet rezervë e Edersonit, ndërsa do të veshë fanellën me numrin 18. /Telegrafi/


















































