Llapi ka zyrtarizuar sot afrimin e qendërmbrojtësit të talentuar, Luan Lleshi, duke e konsideruar si një investim të rëndësishëm për të ardhmen.

19-vjeçari ka firmosur një kontratë trevjeçare me klubin nga Podujeva, duke u bërë kështu përforcimi më i ri për sezonin e ardhshëm në Albi Mall Superligën e Kosovës.


Lleshi vjen nga skuadra e Feronikeli ’74, ku gjatë edicionit të fundit ka treguar paraqitje të qëndrueshme dhe mjaft premtuese në qendër të mbrojtjes.

Ai është gjithashtu pjesë e rregullt e përfaqësueses U19 të Kosovës, një fakt që e rrit vlerën e tij si një nga mbrojtësit më perspektivë të futbollit kosovar.

Sipas njoftimit të klubit, ardhja e Lleshit pritet të sjellë stabilitet dhe cilësi në repartin defansiv, ndërsa përfshirja e tij në projektin afatgjatë të Llapit sinjalizon synimet e klubit për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe të balancuar për sezonet në vijim.

Llapi i ka uruar mirëseardhje lojtarit të ri përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur besimin se Lleshi do të ketë një ndikim pozitiv me fanellën bardhekaltër. /Telegrafi/

telegrafi sport app