Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRrE) i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale të premten, duke ngritur  çmimin e energjisë elektrike për 16 për qind.

Në njoftimin e ZRrE thuhet se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të hyrat e lejuara maksimale është rreth 16%.


Të hyrat maksimale për Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] janë 435 milionë euro, përkundër që kërkesa e tyre fillestare ishte 447 milionë euro. Ndërkaq, ZRrE vendosi që të hyrat maksimale për Kompaninë për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] për vitin 2025 të jenë 180 milionë euro, ani pse kërkesa e tyre ishte 180 milionë euro. Në anën tjetër, të hyrat maksimale për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT] u vendos të jenë 101 milionë euro, transmeton Telegrafi.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, derisa ZRRE po diskutonte për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike një numër qytetarësh protestuan në sheshin Zahir Pajaziti në qendër dhe pranë zyrës së rregullatorit në Pejton.

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të javën e kaluar.

Qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.

Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. /Telegrafi/