Blerton Isufi, një nga talentët më premtues ofensivë në elitën e futbollit norvegjez, i është bashkuar Moldes pas transferimit nga Moss FK. Ai ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me klubin. 

“Është shumë emocionuese të nënshkruaj me Molde. Është diçka shumë e madhe. Jam gati dhe mezi pres”, tha Isufi pas nënshkrimit të kontratës. 


Blerton është një mesfushor ofensiv, i cili e përshkruan veten si një lojtar kreativ, teknik dhe i rrezikshëm për gol.  

Që nga debutimi në gusht 2024, ai ka zhvilluar 23 ndeshje dhe ka shënuar gjashtë gola për Moss, duke u bërë një lojtar i dashur për publikun falë teknikës së rafinuar dhe aftësisë për të kombinuar me shokët e skuadrës. 

“Krijoj raste, dribloj dhe synoj të kontribuoj me gola dhe asistime. Gjithçka ka të bëjë me kënaqësinë që të jep futbolli. Kur tifozët e Molde vijnë të na shikojnë, dua t’i argëtoj”, vazhdoi ai. 

Molde ishte hapi i radhës natyral për 19-vjeçarin, si për shkak të ambicieve të klubit, ashtu edhe për mënyrën se si luan skuadra. 

“Ndjej që Molde më përshtatet. Më pëlqen ta kem topin, të kombinoj dhe të kontrolloj lojën”.  

“Kur fola me trajnerët dhe drejtorin sportiv, e kuptova që kishte një plan të qartë  dhe gjithçka ndjehej e duhura”, përfundoi Isufi. 

Kujtojmë se Isufi është ende në pritje të një ftese zyrtare nga grupmoshat U21 të Kombëtares së Kosovës./Telegrafi/

telegrafi sport app