Ballkani ka bërë goditjen e radhës në afatin kalimtar veror. Klubi nga Suhareka ka konfirmuar nënshkrimin me mesfushorin Ardit Deliu, i cili vjen si një përforcim me përvojë të madhe në elitën e futbollit shqiptar dhe me eksperiencë ndërkombëtare.

26-vjeçari vjen pas një sezoni të suksesshëm me KF Vllaznia, ku ishte një nga lojtarët kryesor në mesfushë, duke u dalluar për disiplinën taktike dhe kontributin e vazhdueshëm në lojën e skuadrës.


Deliu e ka nisur karrierën te Besa e Kavajës, ndërsa në vitet që pasuan, ai ka veshur fanellat e RNK Split, Hajduk Split II, Laçit, Liepajas në Letoni dhe së fundmi Tiranës, përpara se të kalonte te Vllaznia.

Me këtë transferim, Ballkani synon të përforcojë mesin e fushës për sezonin e ri, ku ambiciet janë të mëdha si në garat vendore ashtu edhe në Evropë.

Ardhja e Deliut vjen si pjesë e projektit të trajnerit dhe klubit për të shtuar eksperiencë dhe cilësi në repartin qendror. Ai pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të skuadrës në sezonin 2025/26. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app