LAJMI I FUNDIT:

Zyrapi: Jemi vonuar 3 vjet me formimin e Ushtrisë

Zyrapi: Jemi vonuar 3 vjet me formimin e Ushtrisë

Bislim Zyrapi, Këshilltar për Siguri i Presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se me amandamentimin e Ligjit të ri për FSK-në, kësaj force i ndryshohet misioni, kapacitetet dhe bëhet funksionalizimi i FSK-së si ushtri e Kosovës.

“Emri i mbetet njëjtë, ka edhe shumë ushtri të tjera në botë që nuk e kanë emrin ushtri, ashtu edhe FSK me amandamentimin e këtij ligji shndërrohet në Ushtri të Kosovës”, tha Zyrapi në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Siç e dini, kjo iniciative është që 3 vjet, mirëpo fatkeqësisht me komunitetin serb ka pasur refuzime dhe e kanë bërë të qartë që nuk do të votojnë për shndërrimin e FSK-së, andaj është vendosur që të ndryshohet me ligi misioni dhe detyrat e saj. Edhe në Kushtetutë shkruan që FSK ka detyrë të mbrojë territorin, integritetin e Kosovës”.


Zyrapi ka thënë se tashmë është momenti i duhur që FSK të marrë kompetenca të reja.

“Është momenti i duhur sepse ne jemi vonuar që 3vite, për 3 vite ka ngecje shumë të madhe të zhvillimit të ushtrisë, nëse presim përfaqësuesit serbë, nuk bëhet asgjë dhe do të mbesim pa e formuar Ushtrinë derisa nevoja për formimin e Ushtrisë është e domosdoshme”.

Por formimi i Ushtrisë së Kosovës, a do të sjellë stabilitet dhe paqe në rajon.

“Zhvillimet në botë, dhe lëvizjet e NATO-s tregojnë se as Ballkani Perëndimor nuk është jashtë këtyre rreziqeve andaj është e domosdoshme që të krijohet edhe Ushtria e Kosovës që ndihmon në paqen e rajonit”, tha Zyrapi. /Klan Kosova/