Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), Ymer Fejzullahu ka deklaruar se edhe për sezonin 2024/2025, konsumatorët do të paguajnë njëjtë për ngrohje.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky vendim është marrë në mbledhjen e 11-të të Bordit të ZRRE-së, në të cilën po ashtu është theksuar se edhe faturimi i ngrohjes sipas konsumit, do të ndikoi në kursim të energjisë elektrike.
“Tarifat do të mbesin të njëjta, por ajo çfarë është më rëndësi është faturimi me matje e mundëson që konsumatorët të kursejnë energji elektrike dhe të njëjtën kohë të ulën faturat e tyre”, tha ai
Ndërsa, Fejzullahu shpreson që edhe në vitin e ardhshëm konsumatorët e tjerë të përshihen në faturimin e ngrohjes sipas konsumit.
Po ashtu, në mbledhjen e mbajtur të martën, bordi i ZRRE-së aprovoi çmimin maksimal për ankandin e erës.
“Ndër pikat me rendësi që është diskutuar është edhe përcaktimi i çmimit maksimal për 75 MW, kapacitet me energji nga turbinat e erës e cila pritet të organizohet ankandi nga ana e ministrisë. ZRRE ka përcaktuar çmimin maksimal apo çmimin që do të paguajnë konsumatorët që janë të gatshëm ta paguajnë në tarifat të energjisë elektrike, nëse kemi ofertues të përgjegjshëm, ku është përcaktuar të jetë 80.2 euro për megavat”, tha Fejzullahu.
Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike ndër pikat tjera të rendit të ditës, ka aprovuar edhe sasinë e kapaciteteve transmetuese ndërkufitare Shqipëri-Kosovë për procesin e Bashkimit të Tregjeve, në vlerë prej 50 megavat. /Telegrafi/