Zjarri në resortin e skive në Zvicër, autoritetet dhe pronari i barit akuzohen për gabime fatale

Pas heshtjes së gjatë, zyrtarët e komunës Crans-Montana në alpet e Zvicrës kanë pranuar të martën në një konferencë për media se kontrolli i fundit i mbrojtjes nga zjarri në barin “Le Constellation” ishte kryer në vitin 2019.
Natën e vitit të ri në këtë bar shpërtheu një zjarr me ç’rast vdiqën 40 persona, 116 pësuan lëndime të rënda.
Shumica e viktimave janë të rinj. 22 viktima (të moshës 14 deri në 31 vjeç) ishin nga Zvicra.
Përveç kësaj, humbën jetën tetë francezë (14 deri në 39 vjeç), gjashtë italianë (15 dhe 16 vjeç), një turk (18), një portugeze (22), një rumun (18) dhe një belg (17).
Pas analizimit të dokumentacionit administrativ të dekadave të fundit është konstatuar se mes viteve 2020 dhe 2025, lokali mbeti pa kontrolle periodike, ndonëse bizneset duhet të kontrollohen çdo vit.
Sipas mediave zvicerane, pritet që një zyrë e pavarur dhe e specializuar të kontrollojë të gjitha bizneset publike të komunës Crans-Montana, përfshirë edhe materialet e përdorura, me qëllim që të identifikohen shpejt defektet e sigurisë dhe të garantohen inspektime pa ndërprerje në të ardhmen.
Përveç kësaj, komuna ka ndaluar përdorimin e çfarëdo mjeti piroteknik në ambiente të mbyllura në territorin e saj.
Në raportet e zyrtarëve komunalë të sigurisë ishte përcaktuar një kapacitet maksimal prej 100 personash për ambientet në katin përdhes, si dhe 100 personash për katin nëntokësor.
Mirëpo, pronarët e barit “Le Constellation” duket se kanë përhapur shifra të tjera: ata kishin shkruar në internet se bari kishte vend për 400 persona.
Kryetari i komunës Nicolas Féraud deklaroi në konferencën për media se këto shifra i kanë përhapur vetëm pronarët - komuna, sipas tij, nuk ka të bëjë fare me këtë.
Ai tha se ai dhe anëtarët e tjerë të qeverisë komunale nuk do të japin dorëheqje.
“Anija nuk braktiset në mes të stuhisë”, nënvizoi Féraud.
Ai tha se bashkë me kolegët e tij ishte zgjedhur nga popullsia.
Sipas Féraud “pronari i barit ka qenë jashtëzakonisht neglizhent. Ai ka marrë përsipër rreziqe që nuk mund të arsyetohen”.
Menjëherë pas tragjedisë, autoritetet komunale reaguan në mënyrë krejt të pavend, madje arrogante.
Kur revista gjermane “Der Spiegel” pyeti përgjegjësit në komunë nëse ishin kryer kontrollet në bar, përgjigjja ndaj gazetarëve ishte kjo: “Kush jeni ju që bëni një pyetje të tillë? Unë kam mirësjelljen të mos ju trajtoj ashtu siç e meritoni dhe po e detyroj veten t’ju informoj se policia kantonale është përgjegjëse për (komunikim me) shtypin”.
Zëvendëskryeministri i Italisë Matteo Salvini, i cili vizitoi vendin e ngjarjes në Crans-Montana, nuk ngurroi të hedh aukza të rënda kundër pronarëve të barit dhe autoriteteve.
Në Instagram ai shkroi: “Kriminelë janë ata që nuk garantuan sigurinë në atë bodrum. Ata që nuk kontrolluan, ata që nga lakmia për para grumbulluan qindra të rinj në një kat nëntokësor - me flakë të hapura dhe sisteme emergjence që dështuan”.
Salvini bëri thirrje: “Në Zvicrën e civilizuar, dyert e burgut do të duhet të hapen për shumë njerëz”.
Deri më tani 23 vende i kanë ofruar ndihmë Zvicrës për t’u përballur me këtë tragjedi.
Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Popullsisë, menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, Zvicra transferoi 35 pacientë në klinika të specializuara në Evropë.
Ndërkohë numri i tyre ka arritur në 38: nga 7 të lënduar rëndë u dërguan në Belgjikë dhe Gjermani, 16 në Francë dhe 8 në Itali.
Të premten e ardhshme është planifikuar tashmë një ditë zie kombëtare.
Siç njofton gazeta “Tages Anzeiger”, në ceremoninë zyrtare janë ftuar familjet e viktimave. Ato vijnë - duke përfshirë Zvicrën - nga shtatë shtete të ndryshme. Zvicra ka ftuar edhe kryetarëve të qeverive të këtyre vendeve. Presidenti francez Emmanuel Macron e ka konfirmuar tashmë ardhjen e tij.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve Ansa, do të marrë pjesë edhe presidenti italian Sergio Mattarella. /Telegrafi/



































