LAJMI I FUNDIT:

Zjarrfikësit – heronj në botë, të harruar në Kosovë!

Zjarrfikësit – heronj në botë, të harruar në Kosovë!

Tahir Ahmeti

Sot është 4 Maji – Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve Shpëtues, ditë në të cilën shpëtimtarët që kanë një profesion krejtësisht human, do të duhej ta ndjenin veten krenarë dhe të festojnë me aktivitete të ndryshme. Këto aktivitet do të duhej të organizoheshin së bashku me institucionet përgjegjëse të vendit, ku do të dëshmoheshin kapacitetet profesionale, njerëzore dhe të pajisjeve; të ketë falënderime, pse jo; shpërblime për të dalluarit; gradime… Kështu ndodh në shumicën e vendeve demokratike të botës, në këtë datë. Sepse shteti, institucionet dhe shoqëria u janë mbështetëse dhe falënderuese zjarrfikësve shpëtues që kanë zgjedhur këtë profesion kaq specifik, me kaq shumë sfida dhe, në të njëjtën kohë, krejtësisht human.


Por, kjo që po ndodh në Kosovë, madje edhe në këtë Ditë Ndërkombëtare të tyre, është jo vetëm e papranueshme, por një sinjal tejet negativ për ta dhe për shoqërinë.

Krahasuar me kolegët e tyre në botën demokratike, tek zjarrfikësit shpëtues në Kosovës, sot si kurrë më parë vërehet qartë zhgënjimi i pafund i tyre, duke filluar nga siguria e tyre në punë, pagat, kushtet e mjerueshme të punës, injorimi i vazhdueshëm nga institucionet e vendit dhe një mori tjetër e problemeve që rëndojnë mbi këtë kategori të të punësuarve.

Derisa në shumë vende të botës zjarrfikësit shpëtues cilësohen si heronj, në Kosovë kjo kategori injorohen, përfshirë madje edhe në të vetmen ditë që do të duhej të ishte ditë feste për ta.

Për më keq, në situata të caktuara, zjarrfikësit shpëtues janë fyer nga iniciativat e ndryshme të institucioneve. E tillë ishte situata kur Qeveria e Kosovës ndërmori iniciativën për Ligjin për Pagat në institucionet publike. Në atë iniciativë pothuajse vetëm që zjarrfikësit shpëtues nuk u përjashtuar fare. Aq kishin menduar për kompensimin e tyre mujor sa një politikan, ministër a deputet shpenzon për një darkë “pune”.

Nëse thellohemi në krahasimin e kushteve të punës, kjo gjendje do të mund të shpjegohej vetëm me një fjalë: mjerim. Madje, edhe pajisjet aktuale, e jo të mjaftueshme që kanë, janë pajisje që nuk funksionojnë në mënyrë të plotë. Por, kjo nuk është tërë historia. Zjarrfikësve shpëtues u mungojnë pajisjet elementare, jo vetëm për të kryer punën në të mirë të jetës së njerëzve të Kosovës, por edhe në mbrojtjen elementare të jetës së tyre. Sikurse është e qartë, në rast të lëndimit të tyre në punë, nuk ekziston asnjë program qeveritar për lehtësimin e jetës së tyre dhe familjeve të tyre, mbështetjen në mjekim apo elemente të ngjashme krejtësisht bazike.

Secili prej nesh ka dëgjuar alarmin dhe ka parë në lëvizje makinat e zjarrfikësve shpëtues nëpër rrugët e Kosovës. Sigurisht, mendimi i parë i secilit prej nesh është shpresa për shpëtim të jetës së njerëzve, pastaj edhe për shpëtimin e pronës së qytetarëve.

Por, sa herë kemi menduar nëse këta zjarrfikës shpëtues i kanë mundësitë elementare që të shpëtojnë veten? Pra, të kenë siguri në punën e vet?

Për këtë një gjë është e qartë: institucionet e Kosovës nuk kanë menduar asnjëherë! Të paktën, vetëm po të kishin një mendim të tillë, do të ndanin buxhetin e nevojshëm për këtë kategori punëtorësh sakrifikues në Kosovë.

Është koha e fundit që institucionet e Kosovës t’i trajtojnë me dinjitet shpëtimtarët, ashtu siç edhe e meritojnë e jo të konsiderohen si kategori e rendit të dytë apo si kategori e punëtoreve që kërkojnë lëmoshë nga institucionet për punën e tyre të dinjitetshme që e bëjnë!