Emrat Askushi, Dikushi e Gjithkushi, duken të çuditshëm, por në Zezë, çdo gjë është e çuditshme. Vetëm Zi Ziu ua mban mend emrat gjithë zijoshëve të Zezës. Vetëm Zi Ziu zezon për secilin, dhe këtë punë ai e ka përshpirt.
Mulziun e vranë, por kush dhe pse, nuk u kuptua kurrë? Për këtë zezonte vetëm Zi Ziu. Teoritë konspirative vlonin, shume larg përtej fshatit Zezë. Sa vrasës ishin? Kush mund të kenë qenë ata? Ishte një vrasës apo më shumë sish? Ishin të rinj apo të moshuar? Çka morën nga shtëpia e Mulziut? Sa para kishin plaçkitur aty? Kishte ari, apo para? Çka kishte vjedhur deri atëherë Mulziu i gjorë?
Zijoshët filluan të tjerrin në hollësi çdo mundësi dhe lëvizje të njerëzve të Zezës. Kush ishte ai që ia ka dalë të futet në shtëpinë e Mulziut, para se të vritej? Kujt i ka shkuar mendja që në atë kasolle, të mbuluar me hithër deri në strehë, ai fsheh shumë para?
Përjashtohej çdo mundësi që ta ketë vrarë vetëm një zijosh. Askush nuk besonte se, një njeri i vetmuar, të ketë pasur guxim të mësyjë Mulziun në shtëpinë e tij. Ai kishte pamje të frikshme. Mulziu ishte shtatlartë. Lëvizte pak i kërrusur gjithmonë, me një shkop mbas shpine, mbi të cilin vendoste dy duart, që dukeshin sikur i rrinin varur. Askush nuk e kishte parë të rruar apo të pastruar ndonjëherë. Vetëm me pamje ua fuste frikën gjithë zijoshëve. Edhe zijoshët e rritur ia kishin frikën, e lëre më fëmijët e Zezës. Me vite ishte pëshpëritur se, në atë shtëpi, Mulziu fsheh thesar të madh. Sa duket, pikërisht pëshpëritjet për thesarin e fshehur, Mulziut ia sollën edhe vrasësit në shtëpinë e tij.
Pëshpëritej se tre veta morën guxim ta varrosin Mulziun e vdekur. Pse pikërisht tre zijoshët; Askushi, Dikushi dhe Gjithkushi ishin ata, që kishin ndarë mendjen ta varrosin, kur nuk ishin parë kurrë së bashku. Madje ata nuk i kishte parë a dëgjuar dikush të kenë folur mes tyre ndonjëherë, aq më pak, të kishin hyrë në derën e Mulziut. Për vrasje të pazbuluara flitej moti. Ato ishin, janë dhe mbeten enigmë, që brenë çdo njeri normal edhe sot. Si është e mundur të vritet filani dhe të mos dihet kurrë, kush e vrau. Po, Mulziun e vranë. Mulziu nuk ishte martuar asnjëherë, megjithëse ishte në moshë të shtyrë. Nuk mbahej mend që ai të ketë pasur konflikt me ndonjë njeri. Ai jetonte fare i vetmuar. Nuk ia kalonte askush pragun e derës. Shumëkujt i kishte shkuar mendja se, ja që, Mulziu fsheh diçka me vlerë në atë kasolle, që më shumë i ngjante shpellës.
Kurrë nuk dihej saktë, kur Mulziu ishte në kasolle apo jashtë saj. As Mulziu nuk ia kalonte kujt pragun. Nuk e dinte askush kur largohej, apo kur kthehej në shtëpi. Fitohej përshtypja se, ai nuk linte shtëpinë bosh asnjëherë. Vetëm mund të supozohej kur është zgjuar apo fjetur. Ishin përhapur fjalët se, ai ruan sekret të madh në shtëpinë e tij. Kishte apo nuk kishte shumë para, po mendonin zijoshët e Zezës. Edhe pse ishte plakur fare, vjedhjet i vazhdonte, por pak kush dyshonte se ai është vërtetë hajn.
Enigma për te, po errësohej çdo ditë e më shumë. Shumëkush në fshatin Zezë bezdiste imagjinatën, sa para mund të ketë fshehur në atë kasolle. Jo pak zijoshëve, iu kishte vajtur mendja për të hyrë në atë shtëpi shpellë, po ku ta merrnin guximin, për të kuptuar misterin. Ishte zor të gjendej një zijosh i vetëm, që do merrte guxim për të mësyrë derën e asaj shtëpie. Mund të ketë armë Mulziu? Mund të ketë edhe ndonjë helm të rrezikshëm, thoshin me veti zijoshët. Megjithëse, kërshëria kishte kapluar zijoshët, askush nuk mund të imagjinonte, se tre prej tyre , moti kishin ndarë mendjen për të hyrë në atë shtëpi dhe për të parë se çfarë misteri fshihet aty. Zijoshët e fshatit Zezë edhe emrat i kanë të çuditshëm.
Askushi, Dikushi dhe Gjithkushi, nuk tingëllojnë si emra real, por të tillë ishin. Ata nuk ishin parë të kishin ndenjur së bashku ndonjëherë. Si mund të ishin marrë vesh për të hyrë në shtëpinë e Mulziut, pa u takuar asnjëherë bashkë? Tre zijoshët, që jetonin më shumë si hije, nuk flisnin kurrë me fshatarët tjerë të Zezës. Plani ogurzi i mësymjes së kasolles, ishte zier në detaje, sikur edhe vrasja e Mulziut.
Kush do të merrte guxim për të hyrë në atë kasolle, pasi kurrë nuk dihej se, kur ishte Mulziu brenda apo jashtë.
Tri hijet e zeza, me orar, herë njëri e herë tjetri, kishin dal me net të tëra nga shtëpitë e tyre, për të kuptuar kohën kur po kthehej Mulziu. Në fshatin Zezë, as që i kishte shkuar mendja dikujt se Askushi, Dikushi e Gjithkushi mund të jenë pikërisht ata që kishin thurë planin e zi. Askujt nuk i kishte vajtur mendja se, tre zijoshët, që jetonin si hije, ishin të zotët për ndonjë krim aq të zi, që ishte zier në fshatin Zezë. Natën vonë, në errësirë, në heshtje të plotë, ishte përgatitur gjithë e zeza e asaj nate të zezë. Hijet nuk kishin përfillur as motin, as mjegullën, as reshjet, as vapën e verës apo të ftohtit e dimrit. Për ta, nuk kishte asnjë rëndësi se, a do të ketë hënë atë natë, apo jo.
Me muaj të tërë kishin kalëruar nëpër terr, në heshtje varri, vetëm për të dëgjuar hapat e Mulziut, duke u kthyer në shtëpi. Nata kishte pllakosur gjithçka të gjallë në Zezë, por jo tre zijoshët. Drita e zbehtë e hënës, gati të sosur, nuk ndriçonte fare rrugën e mbuluar me therra nga të dy anët, e cila më shumë i ngjasonte një tuneli të braktisur moti . Tri hije të zeza, dolën nga shtëpitë, në heshtje të plotë. Kush do te kishte pandehur që në këtë kohë, tre veta mësynë shtëpinë e Mulziut? Pasi ishin siguruar më parë, se nuk i ka diktuar askush, tre zijoshët u nisen njeri pas tjetrit. As i dëgjoi dikush kur thyen derën e kasolles. As i dëgjoi e as i pa kush tri hijet, që me shpejtësi fantazmash hynë brenda katër mureve, të një shtëpie plot mister. Një shtëpi mister, tashmë po shndërrohej në mister të shumëfishtë. Mulziun e vranë atë natë të zezë. Po, si e vranë? Me çka e vranë? Kush e vrau? Pse e vrau? Ketë e dinin vetëm tre zijoshë, hije të zeza. E vranë tri hije. Fytyrat e vrasësve të mundshëm vetëm supozoheshin nga zijoshët e fshatit Zezë. Askush nuk mund të dëshmonte se kishte parë fytyrat e vrasëseve të mundshëm. Hijet e njihnin njëri tjetrin, por nuk i besonin fare njëri tjetrit. Gjithçka mbeti brenda suazave të teorive me errëta konspirative.
Gjithçka ndodhi në një natë të zezë. Po çka gjeten tri hijet në shtëpinë e Mulziut, as kjo nuk u mësua asnjëherë. Mister ishte Mulziu, me shtëpi e pasuri, siç u shndërrua në mister edhe vrasja e tij. Fshati Zezë nuk do kishte emër të tillë, sikur aty të mos kishin ndodhur aq shumë të zeza. Tash, edhe vrasja e Mulziut po u shtohej mistereve të Zezës. Mulziu nuk gdhiu i gjallë. Tri hijet, e vranë me mjete rrethanore. E vranë sepse ashtu mendonin ta mbulojnë edhe vrasjen me mister. Ishin paratë dhe ari i fshehur shkak për sulmin ndaj tij? Askush nuk mund të thoshte me të vërtetë se çka ndodhi atë natë me Mulziun.
Zijoshët, për vrasje kuptuan vonë në mbrëmje të ditës së nesërme. Kuptuan vetëm atëherë kur kishin vërejtur se bari që mbulonte gjithë oborrin në hyrje të shtëpisë se Mulziut, ishte shkelur më shumë se zakonisht. Megjithëse Mulziu dilte nga shtëpia, ditën e natën, pakkush mund të vërente ndonjë gjurmë njeriu nëpër barishtet e llojllojshme që kishin mbuluar oborrin e tij. Kasollja më shumë i ngjante një shtëpie të shkretë, ku nuk ka shkelur këmbë njeriu me vite.
Tre zijoshë të Zezës, e varrosen kufomën e Mulit, thellë mes shkurreve të fshatit. As guxonte dikush të pyeste varrtarët e zi, se si e gjeten trupin e Mulit, dhe prej tyre nuk u kuptua asgjë asnjëherë. Bile, sa më shumë kalonte koha, edhe varrimi i Mulziut po bëhej mister edhe më i zi se jeta e vdekja e tij.
Filluan të përhapen konspiracione se, nga shtëpia e Mulziut, hijet e zeza morën një arkë plot me para. Thuhej se ato para i kishte vjedhur Mulziu nëpër kisha e xhamia. Pëshpëritej se ai kishte vjedhur kudo, por në të vërtetë askush nuk mund të dëshmonte se e kishte zënë një herë, siç thonë “me pelë përdore”. Po hijet e zeza, kësaj radhe ia kishin zënë rrugën. Ia kishin mbyllur derën e shtëpisë. Mulziu as që kishte tentuar të ikte, por as që i kishin lënë shteg shpëtimi.
Mulziu i vdekur u varros nga tre zijoshë të Zezës, dhe vetëm pas varrimit, filluan thashethemet, siç i ka zakon Zeza.
Në Zezë po dyshonin se si është e mundur që tre zijoshët, të cilët nuk ishin parë e as dëgjuar të kenë folur mes tyre, të shfaqin atë grimë humanizmi për të varrosur Mulziun.
Kujt i kishte vajtur mendja për hallakamen që kishte ndodhur në atë shtëpi, natën kritike. Thashethemet se si u gjet i vdekur Mulziu u përhapen rrufeshëm. Se çka fshihej në shtëpinë e Mulziut, nuk dinte njeri. Çdo fjalë që dëgjohej ishte vetëm supozim i zi. Kishte apo nuk kishte fare para Mulziu? Varfëria ekstreme që shihej, nuk linte dyshim se ai do të ketë pasur as edhe një metelik.
Vetëm Zi Ziu po e mundonte dhe trazonte mendjen e zezë, se mos vallë do ta kenë vrarë po këta tre zijoshët që e varrosën, sepse ashtu kanë menduar të zhdukin çdo gjurme të krimit.
Tre njerëz, tri hije të zeza, me tesha të përgjakura, me arkën në duar, u larguan nga shtëpia e Mulziut. Heshtja kishte pllakosur fshatin në ato orë të vona të natës. As të lehurat e qeneve të fshatit nuk pati atë natë. Hijet kaluan pranë shtëpisë së fundit të fshatit, në drejtim të arave. Kaluan andej ku nuk kalon asnjëri. Ndaluan pastaj në një lendinë mes shkurresh. Hoqën shamiat e zeza nga koka dhe i shtruan mbi tokë për të ndarë paratë e plaçkitura në tri pjesë. Hëna kishte perënduar, kur tri hijet ndanë edhe monedhat e fundit. Planet e hijeve vrastare, me tesha të lagura nga gjaku i Mulziut nuk po zbërtheheshin aty. Çka do bënin me gjithë ato para? Ishin të gjitha para të vjedhura nga disa herë, nga një hajn në dorën e hajnit tjetër, para të vjedhura nga kisha e xhamia, teke e dyqane te kohës, po edhe nga varret, nga xhepat e te vdekurve dhe trastat e lypsarëve.
Zijoshët kishin menduar shpesh për origjinën e zezë të atyre parave të zeza. Paratë e vjedhura ia hëngrën kokën Mulziut, po pëshpëritnin në heshtje zijoshët. Misteri i shtëpisë dhe i jetës së Mulziut po errësohej edhe më shumë. I kishte parë dikush më herët paratë në kasollen e Mulziut, apo jo? Edhe po të paraqitej një dëshmitar i vërtetë, nuk do t’i besonte askush. Pasi ndanë paratë, hijet e zeza ikën siç kishin ardhur. Ikën në tri drejtime. Mbrapa i ndiqte vetëm krimi që kishin kryer. Duke i ndare paratë, hija e Mulziut po i ndiqte sikur të ishte i gjallë. Kalonin ditët e javët. Ata nuk komunikonin dot me njëri tjetër. Kishin filluar të shfaqnin dyshime ndaj njeri tjetrit për dekonspirim. Secili dyshonte tek tjetri. Cila hije do mund të ishte tradhtar? Po, hijet, natën nuk i pa askush, e lëre më t’i ketë njohur se kush ishin. Të tri hijet po mendonin zi për njëri tjetrin. Për harxhimin e parave, nuk kishin as guxim të mendonin. Çdo blerje, nga cilido prej tyre, do të zgjonte dyshime.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKëshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A