Jennifer Lawrence mori pjesë në premierën e filmit “Anatomy of a Fall” në Festivalin e Filmit në Kanë dhe për këtë rast ka bërë një zgjedhje të papritur këpucësh që i kombinoi me një fustan të gjatë të kuq.

Tepihu i kuq i Festivalit të Filmit në Kanë nënkupton paraqitje magjepsëse të modës për femrat – fustane të gjata, modele solemne flokësh, stoli, grim e taka të larta – aktorja i kishte të gjitha, përveç artikullit të fundit.


Gjegjësisht, bukuroshja hollivudiane – e cila përveç aftësive në aktrim – nga shumëkush njihet edhe për humorin e saj, zgjodhi diçka “inovatore”.

Lawrence mbërriti me një fustan të kuq Christian Dior, ndërsa në këmbë kishte shapka të zeza.

Edhe pse, sipas Vogue, ekziston një rregull i pashkruar që femrat duhet të veshin taka të larta në festivalin e Kanës, aktorja zgjodhi rehatinë në vend të glamurit. Ajo kishte edhe një shall në nuancën e fustanit, së bashku me një gjerdan diamanti dhe grim të lehtë në fytyrë.

Jennifer mori pjesë në premierën e filmit të ri “Anatomy of a Fall” në festival dhe duke pasur parasysh se më parë ka ngecur në ngjarje të rëndësishme – përkatësisht në Oscar – duket se këtë herë ka vendosur ta parandalojë me çdo kusht duke bërë zgjedhje të rehatshme. /Telegrafi/

jen1 (Foto: Getty Images)