Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Dallëndyshe Bici priti sot në një takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes, Bizi e uroi gjeneral Jasharin për marrjen e detyrës së re dhe e përgëzoi atë për përparimet shumë pozitive që ka bërë FSK, kryesisht me ndihmën e aleatit të përbashkët strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zëvendësministrja e njohu ushtarakun e lartë nga Kosova me vendimin e qeverisë shqiptare për të shtuar trupat shqiptarë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bici dhe Jashari folën edhe për planin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, i cili përmban 50 aktivitete, kryesisht kurse, trajnime dhe stërvitje të përbashkëta.
Ata gjithashtu vlerësuan faktin që kadetë nga Shqipëria studiojnë në Qendrën Stërvitore të FSK dhe kadetë nga Kosova ndjekin studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Gjatë vizitës së tij, komandanti i FSK u prit në takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj. /Telegrafi/