LAJMI I FUNDIT:

Zëvendëskryeministri Kelmendi takoi drejtuesit e Sindikatës së Sektorit Privat

Zëvendëskryeministri Kelmendi takoi drejtuesit e Sindikatës së Sektorit Privat

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti sot në takim kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë, Jusuf Azemi.

Gjatë takimit, Kelmendi ka informuar Azemi për angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, në fushën e përmirësimit të gjendjes sociale në përgjithësi dhe përmirësimin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit të punës tek ekonomitë e vogla, por edhe në luftimin e informalitetit.

Gjatë takimit që zëvendëskryeministri Kelmendi ka pasur me asociacionet ekonomike, është arritur marrëveshja për fillimin e iniciativës për formalizmin e të punësuarve, e njëkohësisht palët janë dakorduar që pakoja e dytë fiskale të jetë në funksion të avancimit dhe zhvillimit ekonomik të bizneseve.


Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë, pasi ka uruar zëvendëskryeministrin Kelmendi për detyrën e re, shpalosi angazhimet e sindikatës lidhur me të drejtat e punëtorëve.

Kryetari Azemi, kërkoi angazhim të përbashkët në zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga Ligji i Punës, por edhe fillimin e zbatimit të kontratës kolektive, si shtyllë bazë për përmirësimin e pozitës së punëtorëve. /Telegrafi/