LAJMI I FUNDIT:

Zëvendësimi i targave në RKS, çfarë thonë qytetarët serbë në veri të Mitrovicës

Zëvendësimi i targave në RKS, çfarë thonë qytetarët serbë në veri të Mitrovicës
Foto: Arkiv

Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb që t’i përgjigjen procesit të riregjistrimit të veturave me targa RKS (Republika e Kosovës), sytë e tyre janë drejtuar nga Beogradi zyrtar.

“Unë vozis [veturë me] targa KM [Mitrovicë e Kosovës-Kosovska Mitrovica], jam në pritje të vendimit të shtetit serb”, tha për Radion Evropa e Lirë, Filip Kovaçeviq, nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 29 qershor, veturat me targa të qyteteve në Kosovë, të cilat ende lëshohen nga autoritetet serbe, do të mund të zëvendësohen me targa RKS (Republika e Kosovës) brenda periudhës 1 gusht deri më 30 shtator.


Këto janë kryesisht vetura me targa KM (Mitrovicë e Kosovës), ndërsa ato me qytete në jug të Ibrit, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), janë shfuqizuar dhjetë vjet më parë.

Heqja e këtyre tabelave ishte paraparë në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën në vitin 2011, por ajo nuk u zbatua asnjëherë në veri të Kosovës. Prishtina zyrtare deri vitin e kaluar ka toleruar përdorimin e targave KM, edhe pse i konsideronte të paligjshme.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10,000 vetura me targa KM, të cilat janë lëshuar nga Zyra serbe e Policisë për Mitrovicën, me seli në Rashkë, qytet në Serbi.

Çfarë thonë qytetarët?

Filip Kovaçeviq nga Mitrovica e Veriut thotë se është në pritje të vendimit të Serbisë për targat dhe shton se do të veprojë sipas “urdhrit të shtetit”.

“Ka shumë vetura dhe nëse serbët vazhdojnë të refuzojnë të riregjistrohen, atëherë do të jetë problem i madh konfiskimi i automjeteve… askush nuk do të japë pronën e tij, është pronë personale”, thotë ai.

As Zhivorad Illiq nuk do ta riregjistronte veturën e tij me targa RKS nëse “shteti [i Serbisë] nuk merr një vendim të tillë”.

“Nëse shteti merr një vendim, [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, atëherë në rregull”, thotë Iliq.

Me bashkëqytetarët e tij pajtohet edhe Zorani nga Mitrovica e Veriut.

“Unë jam shtetas i Serbisë, jo i Kosovës”, thekson Zorani.

Të gjithë ata shpresojnë se autoritetet e Kosovës nuk do t’ua konfiskojnë targat dhe veturat nëse nuk riregjistrohen brenda afatit të caktuar kohor.

Po nëse qytetarët refuzojnë riregjistrimin e veturave?

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, riregjistrimi i tabelave RKS do të jetë i vlefshëm për të gjitha automjetet e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Gjithashtu, theksohet se pas afatit nuk do të mund të bëhet riregjistrimi i veturave me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia.

Qeveria merr vendim për targat: Nuk do të ketë më automjete me “PR”, “KM”, “GL”..., do të regjistrohen me RKS
Lexo po ashtu Qeveria merr vendim për targat: Nuk do të ketë më automjete me “PR”, “KM”, “GL”..., do të regjistrohen me RKS

“Ministria e Punëve të Brendshme [e Kosovës] merr përsipër të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për realizimin e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Deri në publikimin e këtij teksti, askush nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me veprimet përgatitore për zbatimin e procesit të riregjistrimit dhe as se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës nëse qytetarët në veri refuzojnë të riregjistrojnë veturat e tyre.

Më herët, kryeministri Kurti kishte paralajmëruar “konfiskimin” e targave KM, pasi ato kishte thënë se janë të paligjshme.

Mesazhe kundërthënëse nga Kurti dhe Petkoviq

Më 3 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët drejtojnë vetura, siç tha ai, me targa të paligjshme të qyteteve në Kosovë dhe të lëshuara nga autoritetet serbe, që të bëjnë riregjistrimin me targa RKS (Republika e Kosovës).

Kurti iu drejtua serbëve të Kosovës në gjuhën serbe

“Për të siguruar që procesi i regjistrimit të automjeteve të jetë sa më i lehtë, nuk do të ketë nevojë për doganë. Ky është një koncesion i madh, duke pasur parasysh se pagesa doganore për automjet do të ishte rreth 5,000 euro. Për regjistrimin e parë nuk do të kërkohet kontroll teknik i veturës”, deklaroi Kurti në një mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

Në trend Lajme

Më shumë
FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM)

FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM)

Lajme
Murati: Ripërcaktimi i kufijve, zgjidhja e vetme për një Kosovë funksionale

Murati: Ripërcaktimi i kufijve, zgjidhja e vetme për një Kosovë funksionale

Lajme
Banesat kolektive në veri të ndërtuara nga Serbia, do të legalizohen

Banesat kolektive në veri të ndërtuara nga Serbia, do të legalizohen

Lajme
Bislimi: Gjatë periudhës 2021-2023, Kosova ka përfituar 8.7 milionë euro nga pjesëmarrja në programet e Bashkimit Evropian

Bislimi: Gjatë periudhës 2021-2023, Kosova ka përfituar 8.7 milionë euro nga pjesëmarrja në programet e Bashkimit Evropian

Lajme
Zhduket një vajzë në Prishtinë

Zhduket një vajzë në Prishtinë

Kronika e Zezë
Demokracia në Veprim: Gjysma e parë e fushatës - me shumë aktivitete por me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike

Demokracia në Veprim: Gjysma e parë e fushatës - me shumë aktivitete por me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike

Lajme
Kalo në kategori