Zanetti do t’i thyejë ligjet e fizikës edhe për një vit

Il Tractore siç e quajnë në Itali, duket se do të vazhdojë ta mahnitë botën e futbollit me vrapimet e tij në fushë edhe për një vit.
“Së pari dua ta falënderojë klubin për besimin që kanë shfaqur në mua. Ne biseduam për kohëzgjatjen e lëndimit tim dhe vendosëm ta vazhdojmë kontratën edhe për një vit”, ka thënë Zanetti në një telefonatë me Inter Channel.
“Ata e dëshmuan edhe njëherë se kanë besim tek unë dhe tek pasioni im për Interin. Shpresoj t’ua kthejë borxhin në fushë për këtë demonstrim të afeksionit dhe besimit në mua”.
“Dua t’i falënderojë edhe tifozët të cilët javëve të fundit më kanë dhuruar shumë mbështetje dhe dashuri, këtë gjë e kanë bërë edhe me ekipin duke u abonuar që tani për biletat vjetore”, potencoi kapiteni.
“Po bëj gjithçka që të shëndoshem mirë dhe që të jem në dispozicion të trajnerit dhe të bashkëlojtarëve të mi”, përfundoi Zanetti. /Telegrafi/





















































