Zafir Berisha: Hashim Thaçi duhet të shpallet tradhtar i vendit

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha tha të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës se kjo legjislaturë nuk ka moral me fol për UÇK-në, ndërsa theksoi se ky Kuvend duhet të dalë me një rezolutë për të shpallur Hashim Thaçin, tradhtarë vendi.
Ai tha se komploti kundër grupit “Drenica” është vazhdimësi e proceseve kundër UÇK-së, ku mijëra djem e vajza janë sjellë në burgje nga 1999.
Sipas tij, rasti më eklatant është ai “Kiçina”.
Deputeti i Nismës për Kosovën tha se është turp me “shit mend” para familjes Demaku me mbajtjen e kësaj seance. “Kjo seancë është me shit lot krokodili”, tha Berisha, duke shtuar se nuk mundemi me seanca koti t’i lajmë gjynahet ndaj djemve dhe vajzave të UÇK-së.
Berisha tha se krejt për këto procese fajin e ka Hashim Thaçi, për të cilin tha se Kuvendi duhet të dalë me një Rezolutë për ta shpallur tradhtar vendi.
Sipas tij, deputetët flasin kot derisa Thaçi nuk del për të treguar se ku e ka qëllimin me gjithë këto procese që po zhvillohen në vend. /Telegrafi/



















































