Ymeri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kryeministri, “në vend se të kërcënojë me gjuhë ‘burrnie’, Isa Mustafa duhet ballafaquar me argumente”, transmeton Telegrafi.

Lexojeni të plotë postimin e Ymerit në Facebook:


"Në emisionin e mbrëmshëm në RTK Isa Mustafa për asnjë moment nuk e foli të vërtetën për Marrëveshjen. Herë thoshte se Zajednica nuk ka kompetenca ekzekutive, e pastaj thoshte se edhe ashtu komunat me shumicë serbe kanë pasur më shumë kompetenca se sa komunat tjera. Që i bie se e drejta për t’i përbashkuar këto kompetenca në një instancë më të lartë se niveli lokal, e më të ulët se ai qendror, e bën Zajednicën pushtet të tretë, autonom, në dëm të Kosovës dhe kundër Republikës.

Thoshte se marrëveshja është kompromis, dhe pastaj kthehej e thoshte se është në përputhje të plotë me Kushtetutën, që i bie që Marrëveshja na qenka një detajizim juridik i zbatimit të të drejtave të caktuara tashmë të garantuara me të. Pse paska nevojë për një Marrëveshje kompromisi për ta zbatuar Kushtetutën? Nëse është kështu që komunat me shumicë serbe e paskan pranuar zbatimin e Kushtetutës së Republikës!, dhe se Serbia e paska pranuar në mënyrë indirekte Republikën e Kosovës!, atëherë këtu nuk kemi kompromis, por fitore bindëse të Republikës së Kosovës.

Në vend se të kërcënojë me gjuhë ‘burrnie’, Isa Mustafa duhet ballafaquar me argumente. Prandaj e ftojë në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo. Mediumin dhe gazetarin le ta zgjedh ai se kështu është mësuar" (sic.), ka shkruar Ymeri. /Telegrafi/