Raportet e së dielës konfirmojnë se mesfushori i Interit dhe reprezentuesi i Italisë, Davide Frattesi, do të jetë jashtë fushave për një periudhë të shkurtër, pasi i nevojitet ndërhyrje kirurgjikale për të trajtuar një problem me hernien, me të cilin ka pasur shqetësime prej javësh. 

Frattesi udhëtoi me pjesën tjetër të skuadrës së ‘Nerazzurrëve’ për në fushatën zhgënjyese të Kupës së Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara, por ashtu si shoku i tij i skuadrës, Hakan Calhanoglu, nuk arriti të luajë në asnjë nga katër ndeshjet për shkak të dëmtimit. 


Sipas raportimeve nga Gianluca Di Marzio, Frattesi ka vuajtur nga një hernie inguinale prej disa javësh, në mos muajsh dhe tashmë i duhet ndërhyrje kirurgjikale për ta korrigjuar. 

Thuhet se klubi ka vendosur të presë deri në përfundimin e sezonit për të realizuar operacionin, me synimin që Frattesi të jetë plotësisht i rikuperuar dhe gati për sezonin 2025/2026. 

Parashikohet që ish-mesfushori i Sassuolos të ketë nevojë për rreth 20-30 ditë rikuperim pas operacionit, përpara se të rifillojë stërvitjet nën drejtimin e Cristian Chivut. 

Ndërhyrja kirurgjikale pritet të kryhet në qytetin e Milanos në ditët në vijim. 

Po ashtu, Gianluca Di Marzio shton se Frattesi së fundmi ka pasur një bisedë me trajnerin Chivu për rolin e tij në skuadër për sezonin e ardhshëm. 

25-vjeçari ishte lidhur fort me një largim nga Interi gjatë kësaj vere, sa kohë që Simone Inzaghi ishte ende trajner, por ndryshimi në stolin teknik ka përmbysur tërësisht situatën./Telegrafi/

telegrafi sport app