Xhemal Ahmeti u kërkon falje publike Adriatik e Flamur Kelmendit
Në kërkimfaljen e Xhemal Ahmetit, të cilën po e publikojmë të plotë thuhet:
Pas intervistës së Adriatik Kelmendit me Mehmet Locin dhe do tjerë që sugjeronin t’iu besojmë të kenë pasur shërbime sekrete krah Rugovës në media u plasuan ca informata edhe për Flamur Kelmendin, të atin e drejtuesit të emisionit Rubikon.
Unë duke ditur se Adriatiku ka për axhë edhe plakun bohem dhe univers në vete të letrave shqipe Ramiz Kelmendin u zhgënjeva keq dhe i bëra disa postime ku sugjeroja Flamur Kelmendin si prokuror serb që ka marrë në qafë shqiptarë.
Dy tre miq nga andej ma tërhoqën vërejtjen të mos ngutem. Ma dhanë një histori krejt ndryshe.
I konsultova edhe do miq të mi, të huaj e vendorë atje dhe ja shkurtimisht çka më doli:
Flamur Kelmendi si zv/prokuror nuk ka pasur asnjëherë mundësi të iniciojë apo nënshkruaj aktakuzë kundër dikujt. Ose nuk e ka bërë.
Madje gjatë luftës serbët ia djegin shtëpinë atij dhe vëllezërve të tij.
Në vitin 1990 është ndër të parë prokurorë që përjashtohet me akuzën të ndjek agjenda nacionaliste, separatiste e irredentiste.
Pas çlirimit - sipas të huajve atje - ka qenë prokurori i qarkut dhe juristi ndër më korrekt dhe i pakorruptuar në gjykatat kosovare.
Tash?
Më ranë flokët për njëzet vite në gazetari dhe siç shihet ende nuk jam imun ndaj dezinformatave që shpejtë të bëjnë më vonë të urresh veten të kesh përgojuar padrejtësisht njerëz.
I kërkoj ndjesë veçanarisht Flamur Kelmendit e pastaj natyrshëm edhe Adriatikut. Dhe burra matnja gojën kur shpallni tradhtarë e patriotë se nuk bën, nuk është njerëzore!, thuhet në kërkimfaljen e Xhemal Ahmetit. /Telegrafi/






























