Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka dërguar një mesazh të qartë për lojtarët e tij në prag të sezonit të ri: Kylian Mbappe duhet të ketë përkrahjen maksimale nga e gjithë skuadra.

Gjatë konferencës për shtyp të së shtunës, Alonso theksoi se suksesi i Realit varet edhe nga mënyra se si grupi i përshtatet yllit francez.


“Përpiqem ta ndihmoj (Mbappen), ta bëj ekipin ta ndihmojë dhe sigurohem që ai ta ndihmojë ekipin të fitojë ndeshje. Për këtë, ai duhet të ndihet i kënaqur”, u shpreh Alonso para gazetarëve.

Trajneri shtoi se roli i Mbappes është i pazëvendësueshëm: “Kjo ka të bëjë me ekipin dhe Kylian është një pjesë kyçe e saj, për shkak të peshës dhe ndikimit që ai ushtron mbi grupin”.

Sezoni i kaluar, Mbappe ishte golashënuesi më i mirë i Los Blancos, por kontributi i tij nuk u shpërblye me trofe, pasi Reali dështoi në garat kryesore gjatë vitit 2025.

Alonso ka kërkuar nga ekipi që të shmangë gabimet e së kaluarës, kur golat e francezit nuk mjaftuan për të siguruar fitore. Një nga rastet më të freskëta ishte El Clásico, ku Mbappe realizoi tregolësh, por Real Madridi përsëri doli i mundur.

Mesazhi i trajnerit duket i qartë: për të arritur objektivat madhorë, Reali duhet të gjejë balancën mes forcës individuale të Mbappes dhe stabilitetit të grupit. /Telegrafi/

telegrafi sport app