Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubimin e dytë gjatë ditës së tretë të fushatës në Vushtrri.

Tubimi u hap nga kandidatja për deputete, e cila muaj më parë la Norvegjinë dhe u angazhua si Drejtoreshë e Shëndetësisë pranë Komunës së Mitrovicës, Vlora Haxhimehmedi.


Në fjalën e saj, ajo tha se nuk është i vetmi person që e la Perëndimin për t’u kthyer në Kosovë e për të kontribuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

« Si unë në Lëvizjen Vetëvendosje janë kthyer plot aktivistë të tjerë, e si unë janë edhe plot kandidatë të tjerë në listën zgjedhore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pa harruar ata që kanë qenë këtu gjithnjë e nuk kanë ikur asnjëherë, edhe pse e kanë patur mundësinë. Njerëzit që janë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! më bëjnë të ndihem njëmend krenare!», tha para vushtrriasve, Vlora Haxhimehmedi.

Ajo shtoi tutje se Kosova është e zhytur në Vushtrri dhe tha se Vushtrria e njeh dhe e ka parë mirë këtë varfëri, por premtoi se me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Vushtrria dhe mbarë Kosova do fillojë të dalë nga kjo gjendje.

Tuje, Haxhimehmedi tha se me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, të shumtit do kenë atë që i takon: punë, mbrojtje në punë, shërbime dinjitoze shëndetësore, çerdhe dhe shtesa për fëmijët, ndihma për bujqësi, mbrojtje të prodhimit vendas.

18814243 10154852398848772 3647170939545410973 n

“Dhe kjo ditë nuk është larg. Ajo është 11 qershori, numri është 35, kryeminstri është Albin Kurti, fitues do të dalim të gjithë bashkë,Prandaj, nga këtu, në Vushtrri, i bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në mërgatë, i bëj thirrje të bëjnë çmos të behemi bashkë me njerëzit e mirë të VETËVENDOSJE!s, me njerëzit e mirë të Vushtrrisë, me gjithë qytetarët për t’i sjellë Kosovës fitoren’’, përfundoi fjalën e saj, kandidatja për deputete, Vlora Haxhimehmedi.

Në tubimin elektoral të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri, para të pranishmve ka folur edhe Nënkryetarja e Kuvendit dhe kandidatja për deputete nga kjo komunë, Aida Dërguti.

Ajo në fillim të fjalës së saj i uroi mirëseardhje Albin Kurtit, të cilin e quajti kryeministër të ardhshëm i Kosovës, dhe deklaroi se Vushtrria është përcaktuar për ndryshimin.

“Heronjtë e këtij vendi janë të gjithë ata që vendosën të qëndrojnë nën regjimin e Millosheviqit, të gjithë ata që u detyruan ta lëshojnë Kosovën nga presioni i këtij regjimi, por nuk e harruan vendin e tyre: u organizuan dhe mbajtën gjallë me bukë popullin e Kosovës dhe shkollat shqipe, finansuan dhe morën pjesë në luftën çlirimtare. Heronj ishin ata që me gjakun e tyre vulosën lirinë e Kosovës. Heronj ishin edhe ata që u kthyen pasluftës në tokën e djegur e qiellin e hapur, duke i dëshmuar botës sesi duhet mëmëdheu. Heronj janë ata që jetojnë në varfëri e skamje në Kosovën e pasluftës, me shpresën se do të vijnë ditë më të mira”, tha para vushtrriasve Dërguti.

Ish-deputetja Dërguti tha po ashtu se Kosova sot ka nevojë për heronj që përcaktojnë të ardhmen, e shtoi se këta janë heronj që e duan ndryshimin, besojnë në ndryshimin dhe angazhohen që ta bëjnë ndryshimin.

“Ndryshimi mban datën 11 qershor. Ndryshimi ka adresën: Lëvizja VETËVENDOSJE! numër 35. Ka edhe emrin që i prin: Albin Kurti kryeministër”, ishte porosia e Aida Dërgutit për qytetarët e Vushtrrisë dhe të gjithë Kosovës.

Në tubimin e VETËVENDOSJE!-s në Vushtrri, para qytetarëve ka folur ish-deputeti dhe kandidati për deputet, Rexhep Selimi.

"Ka shumë vite që VETËVENDOSJE! i ka prirë ndryshimit të ecjes së shtetit të Kosovës. Ka shumë vite që LVV e ka mbjellur farën e Kosovës, me 11 qershor do ta korrë këtë fitore", tha në këtë tubim, Rexhep Selimi.

Tutje, ai tha se këtë fitore e kanë mbjellur protestat, rezistenca në parlament, dhe Astrit Dehari.

"Me 11 qershor Kosova do t’ia lë të kaluarën të kaluarës, jetën dhe kohën e vështirë. Kosova më nuk do t'i mbështesë ata që Kosovën e lanë pa sovranitet, pa integritet, dhe me shkelje territoriale. Kosova nuk do t'i mbështesë ata që e lanë atë pa ushtri, ata që vlerën më të lartë të Kosovës UÇK-në e çuan para tribunalit të gjykatës speciale", tha ndër të tjera Rexhep Selimi.

Ai përfundoi fjalën duke thënë se Kosova e don VETËVENDOSJE!-n, sepse ajo e don dhe e mbron sovranitetin e Kosovës dhe duke ua përmendur sulmet e subjekteve politike të të dy koalicioneve mes vete para se të formonin koalicionet.