Komuna e Vushtrrisë ka përuruar zyrtarisht sheshin “Adem Jashari” dhe parkingun nëntokësor, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të realizuara ndonjëherë në këtë komunë.

Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, tha se projekti përbën një transformim të rëndësishëm urban, duke e kthyer qendrën e qytetit në një hapësirë moderne dhe funksionale, përcjell Telegrafi.




“Sot përuruam një nga projektet më të mëdha të qeverisjes lokale në historinë e Vushtrrisë, që e ndryshon pamjen e qytetit tonë – Sheshin ‘Adem Jashari’ dhe Parkingun Nëntokësor. Kjo është një hapësirë moderne, funksionale dhe e denjë për qytetarët tanë dhe vizitorët, e ndërtuar me kujdes dhe përkushtim që nga dita e parë e mandatit”, deklaroi Idrizi, duke falënderuar qytetarët për durimin dhe mbështetjen gjatë fazës së punimeve.

Projekti i përuruar pritet të lehtësojë qarkullimin dhe të rrisë cilësinë e jetesës urbane në Vushtrri, duke kombinuar elementet e hapësirave publike me zgjidhje bashkëkohore për parkim. /Telegrafi/