“Zyra për Kosovën i ka parashtruar vetes qëllimin që deri më 1 korrik të hap 1,000 vende pune në fushën e prodhimtarisë në Kosovë”, citohet të ketë thënë Vulin nga mediet beogradase.

Ministri serb ka shtuar edhe se prej komunitetit serb në Kosovë kërkohet që t’i qëndrojnë pranë shtetit të Serbisë dhe “flamurit të tyre”, sepse më një përkrahje të tillë, sipas tij, do t’ia mundësojnë qeverisë në Beograd që të vazhdojë t’iu ndihmoj atyre.


“Me daljen në zgjedhje, me themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, serbët na mundësuan që të vazhdojmë të kujdesemi dhe t’i ndihmojmë ata”, porositi Vulin, transmeton Rel.

Sipas drejtoreshës së fabrikës “Javor” me seli në Ivanjicë të Serbisë, Skarlet Gjokic, realizimi i projektit ka nisur me hapjen e njërës degë në Zubin Potok, ku janë punësuar 60 serb.

Në degën e kësaj fabrike të tekstilit në Zhitkovc do të punësohen, siç tha ajo, 50 punëtorë, kurse në një fazë të mëvonshme do të hapen edhe 200 vende të reja pune.

Punëtorëve iu premtua rrogë, dhe sigurim social, tha ajo. /Telegrafi/