Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas betimit në Kuvendin e Serbisë, në fjalimin e tij theksoi se “dëshiron të jetë president i të gjithëve dhe për të gjithë dhe se do të bëjë gjithçka në interesin më të mirë të Serbisë”.

Dhe pas betimit për mandatin e dytë, Vuçiq ka thënë se dëshiron që qeveria e re e Serbisë të formohet deri në fund të korrikut, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.


“Formimi i një qeverie të re është vendimtar, duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhemi, një situatë e vështirë...".

"Qeveria e re duhet të formohet shpejt, sepse është e nevojshme që urgjentisht të merret me dimrin e ardhshëm dhe të furnizohet Serbia, në radhë të parë me energji", citohet të ketë thënë tuje ai.

Ndërkohë sigurisht, ai nuk ka lënë pa e përmendur edhe Kosovën.

“Betohem se do t'i bëj të gjitha përpjekjet e mia për ruajtjen e sovranitetit dhe të gjithë territorit të Republikës së Serbisë, përfshirë Kosovën si pjesë përbërëse të saj, si dhe ushtrimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave, respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe Ligjet, duke ruajtur paqen dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve". /Telegrafi/