LAJMI I FUNDIT:

Vritet në Mirditë Kastriot Reçi, pronar i “Media Plus”

Vritet në Mirditë Kastriot Reçi, pronar i “Media Plus”

Është vrarë sot biznesmeni dhe pronari i një media lokale në Veri të Shqipërisë, 47 vjeçari Kastriot Reçi. Ngjarja ndodhi në mëngjesin e të martes, në afërsi të qendrës së qytetit të Rreshenit, teksa viktima po dilte nga një lokal në pronësi të tij.

Sipas një njoftimi paraprak të policisë, ngjarja ka ndodhur në orën 11:05, në rrethana ende të paqarta, në afërsi të një lokali në Rrëshen të Mirditës. Kastiot Reçi ishte pronar i televizionit lokal “Media Plus” me qendër në qytetin e Lezhës.

Televizioni “Media Plus” mbulon me sinjal dhe programacion Qarkun e Lezhës, ku bën pjesë edhe Mirdita.


Në prill të vitit 2017 Kastriot Reçit ju vra në Romë të Italisë vëllai 43 vjeçar, Gaspër Reçi. Hetimet e kryera nga policia italiane nuk arritën të identifikojnë autorët e vrasjes. transmeton VoA.

Nga hetimet paraprake, nuk ka ndonjë të dhënë nëse vrasjet e dy vëllezërve kanë lidhje me njëra tjetrën.

Vrasja e biznesmenit dhe pronarit të televizionit lokal “Media Plus” është e dyta brenda 48 orëve. Një ditë më parë, në qytetin Bajram Curr të Tropojës u vra biznesmeni 47 vjeçar, Guxim Gjyriqi, pronar i një pike karburanti dhe një restoranti në qytetin Bajram Curr.

Ai u qëllua për vdekje nga një makinë, e cila u gjet e djegur rreth 60 kilometër nga vendi i ngjarjes, në fshatin Golaj të Hasit.

Deri tani, edhe për këtë vrasje, nuk ka përsona të dyshuar apo të ndaluar.