Vrasja e rreshterit, avokati: Rilind Murati në momentin e ngjarjes ka qenë me të fejuarën e tij

Pas përfundimit të seancës dëgjimore ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, avokati Musa Kongjeli, në cilësinë e mbrojtësit zyrtar të të arrestuarit Rilind Murati deklaroi se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me këtë vepër penale.
"Sipas prokurorisë janë në bashkëkryerje, dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë…Prokuroria deri më tash me provat që i ka siguruar deri tash, është bazuar në provat materiale. Është në hetim e sipër. Është duke i bërë grumbullimi i provave të tjera…Unë si mbrojtës i Rilindit duke u bazuar në ato prova që deri tash i kemi, konsiderojmë që klienti im nuk është fare i përfshirë në këtë vepër penale".
"...Kështu që prokuroria pretendon se ai ka qenë një ndër anëtarët e grupit që në bashkëpunim me anëtarët e tjera kanë planifikuar dhe kanë përgatitur veprën penale. Klienti im kategorisht e refuzon se ka të bëjë, apo në çfarëdo forme është i involvuar në këtë ngjarje. Ai thotë se nga ora 10:00 në mbrëmje deri në orën 03:00 të mëngjesit ka qenë me të fejuarën e tij…Ne konsiderojmë qe s’ka pas fare grup apo planifikim për organizmin e kësaj vrasje”, tha Kongjeli.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë nën hetim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Deri më tani, hetimet janë mbështetur kryesisht në prova materiale, ndërsa autoritetet po vazhdojnë me grumbullimin e provave shtesë.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për gjashtë të arrestuarit: R.B., E.L., Sh.K., R.M., D.G. dhe V.Ç., të cilët dyshohen për përfshirje në planifikimin dhe kryerjen e vrasjes.
Ndërkohë, të hënën në Kaçanik janë arrestuar gjithsej shtatë persona në lidhje me këtë rast.
Dje, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore të Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit njëmujor ndaj të miturit R.B., i cili konsiderohet si i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Rreshteri Muhamed Lika u vra më 1 prill në hyrje të ndërtesës ku banonte në Kaçanik, në momentin kur po kthehej nga puna./Telegrafi/


















































