Votimi i amendamenteve nuk e krijon Gjykatën Speciale

Koalicionit do t`i duhet së paku edhe një herë të mbledh shumicë të kualifikuar të votave në mënyrë që baza juridike për Gjykatën të jetë e kryer.
Pasi të jenë votuar amendamentet kushtetuese, institucionet e Kosovës duhet të nisin bisedime me shtetin pranues të Gjykatës që mendohet se do të jetë Holanda dhe të arrijnë marrëveshje ndërkombëtare më këtë shtet por edhe me shtetet tjera nëse paraqitet nevoja. Marrëveshja duhet të ratifikohet edhe në parlamentin e Kosovës, por, edhe në atë të shtetit tjetër, në këtë rast Holandës.
Tek atëherë, baza juridike do të jetë e gatshme dhe gjykata mund të krijohet.
Burime të RTV Dukagjinit kanë bërë të ditur se i gjithë procesi do të jetë i mundimshëm, ngase edhe në politikën holandeze ka hezitim nëse duhet të pranohet gjykata e një shteti tjetër në territorin e tyre, pa pasur karakter të një gjykate ndërkombëtare.
Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, profesor Afrim Hoti ka sqaruar për RTV Dukagjinin se kur dy shtete duan të lidhin marrëveshje janë disa procedura që duhet ndjekur.
Hoti thotë se fillimisht dy shtete sovrane këtë rast Kosova dhe Holanda duhet të emërojnë nga një negociator, që do të merren vesh për detajet.
“E para çështje që duhet të vihet në spikamë është çështja e shprehjes së vullnetit të lirë të dy shteteve sovrane sa herë që dy apo më shumë subjekte që mund të jenë shtetet apo organizata ndërkombëtare, shohin një interesat e tyre të përbashkët, arrihet një marrëveshje në momentin kur kemi pajtimin e vullnetit që duhet të arrihet marrëveshja…. Hapi i dytë bisedimet, hap i tretë miratimi apo aprovimi I marrëveshjes, si hap i katërt është ratifikimi që i bie si konfirmimin retkroaktiv i marrëveshjes apo i tekstit për të cilën palët janë marrë vesh dhe si hap I fundit është nënshkrimi i tyre dhe hyrja në fuqi që shënohet si momente kur marrëveshja në fjalë fillon të prodhoj efektin”, tha ai.
Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch disa herë ka deklaruar se shteti holandez me qejf do të pranonte që selia qendrore e gjykatës speciale të ishte në qytetin e Hagës, por para se kjo të ndodh ai ka rrëfyer se për këtë së pari duhet që deputetët e parlamentit holandez të ratifikojnë marrëveshjen në Kuvend, të arritur mes Kosovës dhe Holandës.
Hera e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar në Kuvend marrëveshje ndërkombëtare, ka qenë ajo FATCA - Ligji për pajtueshmërinë mbi tatimin e llogarive të jashtme të SHBA-së, e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/





















































