LAJMI I FUNDIT:

Volkswagen mund të zhvendosë prodhimin e Golfit në Meksikë

Volkswagen mund të zhvendosë prodhimin e Golfit në Meksikë

Gazeta gjermane e biznesit Handelsblatt shkruan se Volkswagen po shqyrton lëvizjen e prodhimit të modelit Golf nga Wolfsburg në Meksikë, duke cituar burime brenda gjigantit të automobilave.

Edhe pse flitet shumë për të, ende nuk ka një vendim përfundimtar për fatin e Golfit, por një nga kandidatët më të mundshëm për rolin e prodhuesit kryesor të këtij modeli në të ardhmen është në fakt një fabrikë në Puebla të Meksikës.

Ky është impianti më i madh i prodhimit të Volkswagen në Meksikë, ku më parë prodhohej “Beetle” legjendar për gati 40 vjet. Megjithatë, nuk ka asnjë koment nga VW për këtë, transmeton Telegrafi.


Arsyeja e zhvendosjes së mundshme të prodhimit nga Wolfsburgu është ekonomia. Golf është më pak i popullarizuar se SUV-të dhe kostot e larta të punës në Gjermani e bëjnë të vështirë ruajtjen e prodhimit.

“Lëvizja” në Meksikë mund të ulë ndjeshëm kostot, gjë që është shumë e rëndësishme për Volkswagen për momentin për shkak të kalimit te veturat elektrike dhe konkurrencës në rritje.

Versioni aktual i Golf Mk 8.5 me motor me djegie të brendshme do të mbetet në shitje për një kohë të gjatë, ndoshta deri në vitin 2035.

Ndërkohë, Golf ID-ja e re elektrike do të mbërrijë në vitin 2028 në një platformë të re. Ky model do të zëvendësojë Golfin me motorin SUS në linjën e prodhimit në Wolfsburg.

Nga ana tjetër, zhvendosja e prodhimit në Meksikë mund të sjellë probleme me eksportet në SHBA për shkak të tarifave të mundshme prej 20 për qind, të cilat janë premtuar nga presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump.

Deri më tani, në tregun amerikan ofrohen vetëm versionet sportive të Golf GTI dhe Golf R. /Telegrafi/