Vokrri i pëlqyer si lojtar, i përkrahur si kryetar

Por sa herë që bëhen vlerësime për lojtarët më të mirë që ka pasur Kosova, pozita e parë nuk vihet asnjëherë në dyshim. Ajo është e rezervuar për Fadil Vokrrin.
Vokrri njihet si legjendë e futbollit kosovar. Përkrahjen që ka pasur Vokrri nuk a ka pasur asnjë futbollist nga Kosova para tij e as pas tij. Edhe ndikimi i tij në futbollin kosovar vlerësohet po aq madhështor, sa edhe përkrahja që kishte nga ata që e pëlqejnë lojën mes dy portave.
Vokrri ka kohë që i ka dhënë fund karrierës si lojtar. Por lojës më të popullarizuar nuk i është ndarë. Vetë atij nuk i është ndarë përkrahja. 55-vjeçari nga Podujeva tani udhëheq Federatën e Futbollit të Kosovës dhe po e ka përkrahjen e madhe të rretheve futbollistike në vend, shkruan kohaditore.
Derisa si futbollist, përkatësisht si sulmues ishte shumë i pëlqyer e i popullarizuar, si kryetar është shumë i përkrahur. Të paktën e përkrahin ata që e kanë fuqinë që ta largojnë, delegatët e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Vokrri prej shkurtit të vitit 2008 është kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Përkrahja e shumicës për të asnjëherë nuk është vënë në dyshim. Në krye të futbollit kosovar ka qenë edhe para 2008-s, si kryetar i Këshillit të Përkohshëm të FFK-së, organ ky që udhëhiqte futbollin kosovar.





















































