Site icon Telegrafi

Vjen edhe reagimi i Putinit pas rrëzimit të aeroplanit në të cilin thuhet se gjeti vdekjen Yevgeny Prigozhin

Në komentet e tij të para lidhur me rrëzimin e aeroplanit që thuhet se vrau udhëheqësin e Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe nëntë të tjerë, Vladimir Putin ka dërguar ngushëllimet e tij.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti rus vazhdoi duke e përshkruar Prigozhinin si një “biznesmen të talentuar”, të cilin e njeh që nga vitet 1990.

Ai tha se Rusia do të shqyrtojë se çfarë thonë hetuesit në lidhje me përplasjen, por detajet e mëtejshme mbi incidentin do të kërkojnë kohë.

Lexo po ashtu Çfarë do të ndodhë me grupin Wagner tani?

Komentet e tij vijnë 24 orë pasi aeroplani u rrëzua në veri të Moskës.

Duke folur më herët sot në një samit tregtar në Afrikën e Jugut, Putin nuk tha asgjë për rrëzimin, duke iu përmbajtur një fjalimi të shkruar paraprakisht.

Ndërkohë disa ekspertë perëndimorë besojnë se Putin mund të ketë urdhëruar një vrasje – edhe pse kjo nuk mund të verifikohet.

Shërbimet ruse të urgjencës kanë thënë se janë gjetur trupat e 10 personave të aeroplanit të rrëzuar.

Sipas autoriteteve, në mesin e personave në bord ishte edhe shefi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe komandanti i tij i dytë Dmitry Utkin – njeriu që i dha emrin grupit mercenar.

Tani fokusi i rastit është tek hetimi se çka e kishte shkaktuar rrëzimin.

Policia kishte mbyllur zonën përreth vendit të rrëzimit dhe Autoriteti i Aviacionit Rus ka formuar një komision të posaçëm për ta hetuar atë.

Shumë rusë nuk shprehën habinë kur u bë lajmi i ditur për vdekjen e supozuar të Prigozhinit.

Kur Prigozhin nisi një rebelim të dështuar dy muaj më parë, ai gjithashtu sfidoi autoritetin e vetë presidentit rus Vladimir Putinit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version