Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1992?
Më 2 dhe 3 mars, shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes referendumit – për të parën herë në mënyrë plebishitare – shprehin vullnetin politik duke u deklaruar për Autonomi Politike Territoriale, si formë e domosdoshme për realizimin e të gjitha të drejtave individuale dhe kombëtare, mirëpo duke e ruajtur të drejtën për vetëvendosje (ku potencohet e drejta për bashkim me Kosovën).
Në prill të vitit 1992, në qytetin e Strugës u shpall “Republika e Iliridës”. Por, një realitet i tillë mbeti vetëm në teori, pa u realizuar në realitet. Kjo për faktin se edhe partitë shqiptare në Maqedoni, si dhe organizatat tjera politike, nuk e mbështetën atë.
Më 24 maj 1992, në Kosovë mbahen zgjedhjet pluraliste për president, Parlament dhe Qeveri të Republikës së Kosovës. President emërohet Ibrahim Rugova.
Shqipëria më 1992 ishte në kaos ekonomik. Në zgjedhjet e marsit fiton Partia Demokratike me 62 për qind të votave. Sali Berisha emërohet president i Shqipërisë, Ramiz Alia jep dorëheqje, ndërsa Aleksandër Meksi bëhet kryeministër. Në korrik shpallet e paligjshme Partia Komuniste e Shqipërisë, ndërsa në shtator arrestohen Ramiz Alia dhe gruaja e të ndjerit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha. Më 1992-1993 në Shqipëri ndodhë rrjedha më e madhe e trurit jashtë vendit.
Më 1992 bëhet njohja ndërkombëtare, si shtete, e katër ish-republikave të ish-RSFJ-së (Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës), me një rekomandim të shqyrtimit të çështjes së minoriteteve. Këtu mendohej te shqiptarët e Kosovës, serbët në Kroaci dhe shqiptarët në Maqedoni. Por, më 1992, lufta vazhdonte në Kroaci dhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Në Bijelinë, p. sh., kryhen masakrat, ku në mars 1992 vriten edhe nëntë shqiptarë. Çuditërisht, më 1992, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, botoi të ashtuquajturën “Agjenda për paqe “, raport ky i shkruar për Këshillin e Sigurimit. Gali shkroi “se është përfituar mundësia që të arrihen objektivat e mëdha të Kartës (së OKB-së)”. Kjo përfshinte jo vetëm paqeruajtjen, por edhe krijimin e paqes apo përdorimin e forcës mes palëve ndërluftuese, pavarësisht a pajtohen ato me këtë. Ai, po ashtu, theksoi promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe standardet më të larta të jetesës. Por, luftërat nuk u ndalën kurrë.
Më 1992, shteti i Titos merr fund. Komisioni i Arbitrazhit, në përgjigjet në pyetjet 4 dhe 8 që kishin të bëjnë me ekzistimin apo mosekzistimin e shtetit të ish-Jugosllavisë, i bën me dije Lordit Carrington – i cili një vit më parë kryesoi bisedimet diplomatike për shpërbërjen e Jugosllavisë – se Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë [RSFJ] më nuk ekziston. Më 18 maj 1992, kryetari i Komisionit të Arbitrazhit kishte marrë një letër nga Lordi Carrington, ku nga Komisioni kërkoi këtë mendim: Nëse merret përgjigjja pozitive (a është kryer shpërbërja e RSFJ?), në cilat baza dhe në harmoni me cilin modalitet duhet të zgjidhen problemet e trashëgimisë së shteteve të cilat parashtrohen mes shteteve të ndryshme të dalura nga RSFJ-ja? Komisioni i arbitrazhit ndër të tjera është përgjigjur: procesi i shpërbërjes së RSFJ-së është kryer sipas pikës 8 dhe ajo më nuk ekziston, ndërsa Republika Federative e Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) nuk ka kurrfarë të drejte që veten ta quajnë të vetmen trashëguese të RSFJ-së. Lidhur me çështjen e suksedimit, në mendimin nr. 9, pika 4, potencon: shtetet trashëgimtare të RSFJ-së (ku nuk përfshihej Kosova), duhet të pajtohen dhe nëpërmjet marrëveshjeve t’i zgjidhin të gjitha çështjet lidhur me trashëgiminë; që gjatë bisedave të vijnë në zgjidhje objektive, duke u mbështetur principet në të cilat janë të bazuara Konventa e Vjenës e vitit 1978 dhe ajo e vitit 1983, si dhe rregullat përkatëse të së drejtës zakonore ndërkombëtare; që pasuria e RSFJ-së, që gjendet në vendet e treta, duhet të ndahet mes vendeve trashëguese në proporcione përkatëse; që barabartë duhet t’i ndajnë të gjitha kërkesat dhe borxhet e RSFJ-së ndërmjet vendeve trashëguese etj. Në mendimet e Komisionit të arbitrazhit është mbështetur edhe Raporti i Badinterit, që shtron çështjen e suksedimit të RSFJ-së, që pa të drejtë ka përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë proces. Në materialin e Komisionit të Arbitrazhit, në pikën 1.b. shteti definohet si bashkësi që përbën territorin dhe popullsinë, që i përket (nënshtrohet) pushtetit politik të organizuar. Komisioni nuk e ka marrë në konsideratë rastin e definimit të shteteve të reja, ku si bazë mbështetjeje kishte Kushtetutën e vitit 1974, duke i përfshirë vetëm republikat si shtete e jo edhe Kosovën.
Duke ia mohuar të drejtën juridike të Kosovës, gjendja bëhet përherë e më e padurueshme, për çfarë largimi shihej si zgjidhje. Sipas rezultateve të para të regjistrimit të shqiptarëve në botën e jashtme, më 1 mars 1992 ishin evidentuar 217 132 kosovarë, më së shumti në Gjermani – 82 348 (rreth 38 për qind), në Zvicër 72 448 (33.4 për qind), Suedi mbi 15 000 (5.7 për qind) pastaj më pak në Austri, Itali Belgjikë Norvegji, Danimarkë, Francë, Angli etj. Por, ashtu siç eskalonte dhuna serbe ndaj shqiptarëve, po ashtu shtohej edhe numri i atyre që braktisnin Kosovën. Vetëm një vit më vonë, më 1993, numri i të përndjekurve arrin shifrën prej 368 000 shqiptarësh. Përsëri, numri më i madh i tyre do të kërkojë strehim në Gjermani – 120 000, pastaj në Zvicër – 95 000, në Suedi – mbi 35 000 etj. Këto shifra tregonin se serbët që më herët ushtronin spastrim etnik dhe njëkohësisht inkurajonin dhe stimulonin serbët e pjesëve të tjera të ish-federatës jugosllave që të vendosen në Kosovë. Autoritetet e Beogradit kishin nxjerrë po ashtu mbi 390 ligje diskriminuese për shqiptarët e Kosovës, ndërsa pas Operacionit “Stuhia” në Kosovë i sjellin mbi 20 mijë serbë nga Kraina e Kroacisë.
Dëmet e pushtetit serb shihen në çdo aspekt të jetës në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës u përjashtuan nga postet udhëheqëse dhe të tjera të rëndësishme në sistemin shëndetësor, ashtu si edhe në shërbimet e tjera publike gjatë viteve 1990-1992. Shqiptarët u privuan nga sigurimi shëndetësor, pas masave të reja. Një sistem shëndetësor paralel bamirës u vu në funksionim nga shoqata “Nëna Terezë”, për të dhënë shërbimet bazë shëndetësore falas, për ata të cilët nuk mundeshin të shfrytëzonin shërbimet private mjekësore dhe për ata që nuk posedonin kartën e sigurimit social. Kjo shoqatë ka krijuar 96 klinika në Kosovë, kryesisht nëpër fshatra, të cilat banoheshin në shumicë nga shqiptarët. Punëtorët e kësaj shoqate punonin falas.
Serbia luftonte edhe fjalën e lirë. Në nëntor 1992, autoritetet serbe kaluan në Parlament ligjin mbi transformimin dhe transferin e pronës së “Rilindjes” në atë të “Panoramës”, që do të ishte nën kontrollin strikt të autoriteteve qeveritare. Një vit më vonë, gazetarët e Javores Politike Shqiptare “Zëri” (dhe disa gazetarëve e shkrimtarëve nga “Rilindja”, ndër ta edhe poeti Ali Podrimja, që mbahet mend për parullën: “Qetësi, këtu po vdiset”!) hedhen në grevë urie 11-ditëshe, në katin e shtatë të Pallatit të Shtypit, kundër shtyrjes së mediave shqiptare nën masat represive (të dhunshme) të ndërmarrjes së instaluar nga Beogradi “Panorama”, pra kundër shuarjes së fjalës së shkruar shqipe.
Me vendimin e Kuvendit të Serbisë, më 27 shtator 1990 regjimi i dhunshëm serb filloi të zbatojë masat e dhunshme në Bibliotekën Popullore Universitare të Kosovës. Policia dhe drejtoria e atëhershme e dhunshme serbe larguan 99 punëtorë bibliotekarë. U ndërrua plotësisht struktura kualifikuese dhe ajo kombëtare e të punësuarve, dhe nuk mbetën as 10 për qind punëtorë joserbë. Në muajin korrik 1991, nga Biblioteka janë nxjerrë – përplot me libra e gazeta – gjashtë kamionë që peshonin 12 300 kilogramë, për t’iu shitur Fabrikës së Letrës në Lipjan. Herën tjetër, prej 28-31 janarit 1992 u nxorën plotë shtatë kamionë me libra, ose saktësisht 3 080 pako me rreth 100 mijë vëllime libri, ndërsa më 3 shkurt 1992 një kamion po ashtu përplot libra e gazeta.
Një gjë e mirë vjen nga një evidencë e këtij viti: Gjatë Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve të Plagëve dhe të Ngatërresave, nga 2 shkurti 1990 deri 17 maj 1992 janë falur 1 230 gjaqe, 542 plagë dhe 1 180 ngatërresa. Pra, lëvizja arriti 2 952 pajtime. Ndërkaq, po më 1992 ndodhë Kërcënimi i Kërshëndellave i presidentit të atëhershëm amerikan, George Bush. Porosia e administratës së Bushit ishte e prerë: Nëse Serbia nis luftën në Kosovë, Amerika do të intervenojë ushtarakisht. Porosia ishte e qartë për të gjitha palët. Shqiptarët, asokohe të tubuar në lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës, nuk duhej të përpiqeshin të organizojnë farë rezistence të armatosur, sepse në atë rast Amerika nuk do të përzihej në luftë dhe nuk do t’i ndihmonte shqiptarët. Sipas analistit dhe publicistit Blerim Shala: “Amerika e kohës së Bushit nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në ndaljen e luftës në ish-RSFJ, e cila asokohe njihte Bosnjën dhe Kroacinë si fronte të veta. Por, nëse lufta do të shpërndahej edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, në Uashington mbizotëronte bindja se do të jetë e pamundshme të evitohet involvimi i Amerikës në përpjekjet ndërkombëtare për paqetimin e rajonit. Zyrtarët amerikanë, por edhe analistët e shumtë pohonin se paqja në Kosovë dhe në Maqedoni është interes strategjik amerikan, para së gjithash për shkak se në atë rast do të mund të keqësohej në mënyrë dramatike situata në këtë pjesë të Ballkanit, ku edhe rivaliteti i egër midis Turqisë dhe Greqisë (të dy shtete anëtare të Paktit NATO dhe aleate të ShBA-së) do të fitonte trajta të reja. Kërcënimi i Kërshëndellave ishte indikativ edhe në një aspekt tjetër: Paralajmëronte veprimin unilateral të Uashingtonit e jo përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Paktit NATO etj. Elementet tjera të dukshme të involvimit amerikan rreth Kosovës janë hapja e Zyrës së ShBA-së në qershor të vitit 1996, Muri i Jashtëm i Sanksioneve në Marrëveshjen e Dejtonit (1995), inkuadrimi i ambasadorëve Robert Gelbard, Richard Holbrooke dhe Christopher Hill si ndërmjetësues në vitet e luftës, Konferenca e Rambujesë, fushata e paktit NATO në pranverë të vitit 1999 etj. Ana e padukshme dhe jo shumë e njohur për opinionin ka të bëjë me rolin amerikan në krijimin e homogjenitetit brendashqiptar në vitet 1998 dhe 1999. Që të tre ambasadorët e përmendur (Gelbard, Holbrooke dhe Hill, posaçërisht ky i fundit) kanë pasur hise të madhe në krijimin e grupeve të përbashkëta negociatore të shqiptarëve, në tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe mosdurimeve midis kryepolitikanëve tanë, në hartimin e orientimeve strategjike të lëvizjes shqiptare, në vendimmarrjen në çastet më dramatike të viteve të luftës. Po të mos ishin diplomatët amerikanë, liderët shqiptarë kurrë nuk do të bëheshin bashkë, kurrë nuk do të krijonin një delegacion për Konferencën e Rambujesë dhe kurrë nuk do të kuptonin rëndësinë e pranimit të ofertës së Rambujesë”.
Sipas disa analizave, po mos të ishte përvoja e Bosnjës dhe ndjenja e turpit te shumë diplomatë dhe ushtarakë perëndimorë që kanë lejuar që forcat serbe të bëjnë çfarë të duan në Bosnjë, vështirë që do të ndodhte një veprim aq këmbëngulës i ShBA-së, të aleatëve evropianë dhe të Paktit NATO më 1999, me rastin e bombardimit të forcave policore dhe ushtarake serbe. Në këtë ka luajtur rol presidenti Bill Clinton, i cili fiton zgjedhjet po më 1992. Kur mundi George Bushin, ky ishte aq i ri me moshë saqë Bushi mund të ishte babai i tij. Në fakt, Clintoni ishte presidenti i parë amerikan i zgjedhur që kishte lindur pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ishte i pari president që pranoi se kishte përdorur marihuanën, që i binte saksofonit dhe që kishte afera seksuale në Shtëpinë e Bardhë. Ishte i pari president amerikan që vizitoi Vietnamin, 25 vjet pas përfundimit të luftës, dhe që urdhëroi ushtrinë amerikane të sulmojë caqet serbe në Bosnjë dhe në Kosovë. “Nëse nuk veprojmë, kjo do të thotë që ne ia japim Sllobodan Milosheviqit licencën për vrasje”, ishte vendimtar Clintoni, më 19 mars 1999. Kur la Shtëpinë e Bardhë, Clintoni zinte vendin e njërit prej presidentëve më të suksesshëm amerikanë në shekullin XX.
Sipas disa të dhënave të vitit 1992, mafia ishte biznesi më i madh italian. Mafia ka fituar një nga çdo e teta liretë italiane dhe 12 për qind të produktit nacional. Ndërsa, një hulumtim i këtij viti tregoi se gati 40 për qind e popullatës evro-perëndimore ishin kundër krijimit të valutës së përbashkët, pra të euros. Kundërshtarët më të mëdhenj të valutës së përbashkët ishin danezët, finlandezët, suedezët dhe anglezët. Edhe në Gjermani kishte kundërshtime të mëdha, duke ditur rolin e markës në krijimin e identitetit kombëtar gjerman
Në dhjetor 1992, hidhet bomba në një hotel të Jemenit, që për cak kishte ushtarët amerikanë në rrugën për shërbim në Somali. Ky ishte sulmi i parë terrorist i grupit al-Qaeda të udhëhequr nga Osama bin Laden. Po më 1992, fillon lufta e parë e Nagorno-Karabut në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit, ndërsa shteti indus Tamil Nadu pranon ekzistimin e zakonit monstruoz të mbytjes së vajzave të sapolindura.
Më 1992, vdesin: shkencëtarja e njohur, pionierja e teknologjisë digjitale, Grace Hopper: komediani Benny Hill; aktorja Marlene Dietrich; kompozitori John Cage dhe ish-kancelari gjerman, Willy Brandt
Vitin 1992 e shënon edhe një ngjarje: kryqëzimi i këmbëve i aktores Sharon Stone në filmin “Basic Instict”, që la pa mend dhe pa frymë gjininë mashkullore. /Telegrafi/