LAJMI I FUNDIT:

Viktimat e para të Trumpit

Viktimat e para të Trumpit

Kur Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, nuk doja t’i bashkohesha atyre që dolën në rrugë për të protestuar. Mendova se është e rëndësishme të respektohet procesi demokratik, pavarësisht se sa i llahtarshëm mund të jetë rezultati dhe të pres derisa Administrata Trump të na jepte një arsye për të protestuar.

Nuk u desh shumë. Tetë ditë pasi Trumpi mori detyrën, të parat viktima të identifikueshme të presidencës së tij ishin kudo në mediat e mëdha. Urdhri ekzekutiv i Trumpit pezulloi ardhjen e refugjatëve sirianë, duke ndaluar përkohësisht refugjatët e rinj pavarësisht se nga janë dhe duke ndaluar të gjithë imigracionin nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, gjë që shkaktoi dëm të menjëhershëm te njerëzit tashmë duke ardhur për në SHBA. Urdhri gjithashtu ka parandaluar shumë njerëz të drejtohen për në SHBA.

Duke justifikuar politikën e tij, Trumpi tha se ai “nuk do të harronte kurrë mësimet e 11 shtatorit”. Por kjo është pikërisht ajo që ai duket se ka bërë. Rrëmbyesit e 11 shtatorit vinin nga Egjipti, Libani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të gjitha vende të paprekura nga rregullat e reja. Në kontrast, një studim nga Alex Nowrasteh, një analist i politikave të imigracionit në Institutin Cato, thotë se në 40 vitet e fundit deri në fund të 2015, askush nuk është vrarë në SHBA në sulme terroriste nga të huaj prej asnjë personi me prejardhje nga ndonjë prej këtyre shtatë vendeve që Trumpi i përjashtoi.


Iranianët, shumë prej të cilëve janë banues të ligjshëm në SHBA, janë veçanërisht të zemëruar. Sipas Trita Parsit, president i Këshillit Kombëtar Iranian Amerikan, SHBA-ja vetë ka prodhuar më shumë luftëtarë të Shtetit Islamik sesa Irani – pa u befasuar nga fakti që ISIS është një organizatë suni dhe i konsideron shiitët, që përbëjnë të paktën 90 për qind të popullsisë iraniane si njerëz vrasja e të cilëve justifikohet.

Ndalimi i imigrantëve nga shtatë vendet funksionon për vëmendje televizive, sepse njerëzit që ka dëmtuar mund të flasin në media për këtë. Ky nuk është rasti për uljen e shifrës së refugjatëve që do të pranoheshin nga 110,000 në 50,000 dhe pezullimin e të gjitha programeve të sistemimit të refugjatëve për katër muaj. Në një krizë globale refugjatësh, presidenti Barack Obama argumentoi se SHBA duhet, të bëjë pjesën që i takon në ofrimin e një shtëpie të re për refugjatët. Trumpi i ka kthyer kurrizin këtij vizioni.

Urdhri ekzekutiv do të ofrojë një test të hershëm se sa do të jenë në gjendje gjykatat amerikane të kufizojnë presidencën e Trumpit. Gjykatësit kanë bllokuar përkohësisht disa aspekte të urdhrit ekzekutiv – për shembull, ata që janë bllokuar pas mbërritjes në SHBA nuk do të deportohen; por do të duhet ca kohë derisa gjykatat të zgjidhin të gjitha pyetjet rreth ndalimeve të reja.

Mes këtyre pyetjeve, diskriminimi në bazë të fesë do të jetë më dominanti. Urdhri thotë se kur programi i refugjatëve të vazhdojë, Sekretari i Shtetit duhet “sipas forcës së ligjit”, t’i japë prioritet refugjatëve në bazë të anëtarësisë së një minoriteti fetar të persekutuar. Megjithëse urdhri vetë nuk përmend fe specifike, Trump tha në një intervistë televizive që ai donte t’i jepte prioritet të krishterëve. Duke qenë se kushtetuta amerikane ndalon qeverinë nga mbështetja e ndonjë feje, mbetet për t’u parë se si këto parashikime do t’i mbijetojnë llupës gjyqësore.

Po kaq shqetësues është kërcënimi ndaj lirisë së shprehjes nga një parashikim që përcakton se SHBA “nuk mundet dhe nuk duhet, pranojë ata që nuk mbështesin kushtetutën”. Duke folur rreth urdhrit, Trump tha, “ne duam vetëm të pranojmë në vendin tonë ato që mbështesin vendin tonë dhe që e duan shumë popullin tonë”.

Unë vetë kam një kartë të gjelbër – që është një leje e ligjshme e banimit të përhershëm në SHBA pa shtetësi. Kam shkruar për të metat e Kushtetutës Amerikane dhe po aq sa i admiroj amerikanët, nuk mund të shkoj aq larg sa të them se “i dua thellësisht” amerikanët në tërësi. A do të thotë kjo se unë do të përjashtohem nga SHBA-ja? A është kjo në përputhje me lirinë e mendimit?

Sipas Nowrastehit, urdhri ekzekutiv i Trumpit nuk do të ketë asnjë efekt në përmirësimin e sigurisë amerikane. Trumpi ka përsëritur se ai gjithnjë vë përpara interesat e amerikanëve. Por a do t’i japë ai pafundësisht peshë më të madhe interesave të amerikanëve sesa i jep interesave të personave të tjerë? Duke marrë parasysh vuajtjen që po shkakton urdhri i tij ekzekutiv, po fillon të duket sikur ai mund të jetë aq joetik – ose, në të njëjtën shkallë, aq i çmendur. /Project Syndicate/reporter.al/