Ngjarjet dramatike në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme janë bërë lajmi kryesor mediatik dhe temë e obligueshme diskutimi në kuluaret e ndryshme politike e diplomatike javëve e ditëve të fundit. Dikush këtë me të drejtë e quajti revolucion, ndonëse për mua më tepër paraqet vetëdijesim dhe rizgjim i popujve të shtypur e nëpërkëmbur me dekada të tëra nga udhëheqësit e tyre tiranë. Fuqia e ndryshimeve e filluar në Tunizi dhe vazhduar në Egjipt, aktualisht po merr formën më dramatike në Libi, ndonëse edhe një sërë shtete tjera të rajonit janë përshirë nga vala e pakënaqësisë së popujve të tyre. Sikur shkojnë punët, fatin e hidhur e të turpshëm të Ben Alisë dhe Mubarakut do ta përjetojë edhe Gadafi, sepse nuk mund të ketë të ardhme ndryshe personi i cili me ushtarë mercenarë vret popullin e vet.

Shumë njerëz janë duke u habitur nga kjo shpejtësi e rrjedhës së ngjarjeve dhe ky eksplodim i pakënaqësisë së njerëzve në Lindjen e Mesme, por e vërteta është se nuk po ndodhë asgjë e panjohur në historinë e shteteve. Madje, jo shumë moti, në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, nëpër një situatë pak a shumë të ngjashme kaluan pothuajse të gjitha shtetet e Evropës Lindore. Në të vërtetë, analizat e mirëfillta do të duhet të pasojnë pas përfundimit të këtij procesi rilindës e reformues në këtë pjesë të botës, kurse pyetja më e logjikshme që do të duhet të parashtrohet është: si në të vërtetë këta njerëz e popuj e duruan shtypjen, zullumin dhe diktatorizmin e liderëve të tyre plot njëzet, tridhjetë apo dyzet vjet!?


Ngjarjet në Lindjen e Mesme, përveç guximit dhe trimërisë së fshehur për vite e dekada me radhë të të rinjve dhe të rejave të këtyre vendeve, mllefit të akumuluar të popujve të përbuzur e frikësuar deri në palcë, në njërën anë, nxorën edhe një herë në pah inferioritetin dhe dyfytyrësinë e faktorit ndërkombëtar karshi ngjarjeve makabre që ndodhin brenda një civilizimi tjetër, në këtë rast atij arabo-islam, në anën tjetër. Sërish, për kushedi të satën herë me radhë, më anemike dhe më të hutuara në raste të tilla duken shtetet evropiane të grumbulluara brenda Bashkimit Evropian, afërsia gjeografike e të cilit me shtetet si Tunizia dhe Libia do të duhej t’i bën edhe më shumë përgjegjës për të gjykuar drejt dhe vendosmërisht gjakderdhjen dhe vrasjen e protestuesve në vendet e Afrikës Veriore. Por, për fat të keq, përpara parimeve shumë lartë të vlerësuara dhe të proklamuara të lirisë e demokracisë, shtetet evropiane dhe liderët e tyre sërish e vendosën interesin e tyre personal, qoftë ai i sigurisë, ekonomik apo politik, posaçërisht para vrasjeve dhe masakrave që po i bën miku i tyre Gadafi ndaj popullit libian.

Gjithsesi, fajin më të madh për këtë heshtje mortore që i ka pllakosur e ka nafta libiane të cilën ata e marrin nga ky monstrum i ditëve të sotme. Por, shumë lehtë kjo kafshatë e huaj mund t’u mbetet në fyt dhe gjaku i derdhur i fëmijëve dhe të pafajshmëve të bëhet ankth trishtues nga i cili nuk do të gjejnë shërim. Po ashtu, nuk është shumë impresionuese as sjellja e SHBA-ve në këtë drejtim, sikur që nuk janë bindës as diskutimet dhe zërat e ngritur për një mision paqësor ndërkombëtar në Libi, sepse kjo me të drejtë shtron edhe dilemën se kujt në të vërtetë do t’i shërbenin më shumë këta trupa aty: mbrojtjes së popullatës civile nga bombardimet me aeroplanë nga ana e Gadafit, apo vet qëndrimit të mëtejmë të këtij diktatori vrasës në pushtet!?

Sidoqoftë, populli libian sot, sikur ai tunizian e egjiptian dje, do ta shijojë fitoren dhe lirinë shumë shpejt, sepse ai nuk e ka nisur këtë rrugëtim të vështirë e të përgjakshëm duke varur shpresat në përkrahjen e politikanëve të huaj. Mbështetja e tyre është më kuptimplotë dhe më e sigurt, në besimin e paluhatshëm në Zotin dhe bindjen e ngadhënjimit të së drejtës mbi udhëheqësit zullumqar.