LAJMI I FUNDIT:

Veseli, LDK-së: Kur nuk është në pushtet ndihmon rrënimin, kur është nuk i merr përgjegjësitë

Veseli, LDK-së: Kur nuk është në pushtet ndihmon rrënimin, kur është nuk i merr përgjegjësitë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në fjalimin para deputetëve të Kuvendit, ka kritikuar Qeverinë Kurti dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se LDK kur nuk ka qenë në pushtet gjithmonë ka ndihmuar rrënimin, ndërsa kur është në pushtet kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë.

Veseli tha se PDK nuk do ta votojë Qeverinë Hoti.

“Pastaj, këto koalicionet, qoftë ai paraprak, qoftë ky aktual, kur dëgjon fyerjet mes tyre dhe bashkimet më pas, nuk mund të mos pyesësh: A ka mbetur pak nder e moral te këta njerëz?”, u shpreh Veseli.


“Ky soj nuk ju ndihmon as juve dhe as Kosovës. Përkundrazi. Ju rrezikon juve dhe Kosovën.  Kosova ka nevojë t’i kthehet agjendës së rimëkëmbjes nacionale.  Votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi. Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë këtë Qeveri. Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet”, tha më tej Veseli.

Ai tha se e njeh lojën politike dhe i dallon mirë strategjitë e përfitimit abuzues në politikë.

“Por, nuk i pranoj, edhe sikur të ma japin tërë pushtetin e mundshëm. Sepse, është mashtrim. Unë e kam nisur një rrugë dhe e kam një qëllim, që do ta çoj deri në fund. Unë besoj në këtë vend. Besoj në njerëzit e mirë dhe të zotë të këtij vendi për të bërë ndryshime të mëdha. Kriminelëve, të korruptuarve dhe mashtruesve do t’u vijë fundi, ndërsa rendit, ligjit, të drejtit dhe punëtorit do t’i vijë çasti. Kjo është e domosdoshme, e pashmangshme dhe këtë nuk do të mund ta ndalë askush”, tha ndër të tjera, Veseli. /Telegrafi/