LAJMI I FUNDIT:

Veprimet e Erdoganit – jashtë çdo logjike

Veprimet e Erdoganit – jashtë çdo logjike

E pabesueshme se çfarë të mbetet në mend nga shfaqjet në publik të kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan: këshilltarë dhe truproja që godasin kritikët dhe demonstruesit, ndërsa ai vetë, sipas dëshmitarëve okularë, godet vajza të reja në një supermarket. Në vend që të qetësojë vuajtjen e familjarëve, të shprehë mirëkuptimin për dhimbjen e tyre dhe të kërkojë ata që janë përgjegjës për aksidentin e minierës në Soma në Anadollin Perëndimor, kryeministri turk vepron sikur ta kishte lënë krejtësisht arsyeja. Erdogan ka kohë që nuk e kontrollon dot më veten. Vetëpërmbajtja e nevojshme për pozicionin e tij në paraqitjet publike ka kohë që ka humbur.

Ngjarjet në Turqi nuk lenë të shpresosh asgjë të mirë nga afrimi i përvjetorit të fillimit të protestave në parkun Gezi më 28 maj. Nëse para një viti ambientalistët dhe grupet e vogla kërkonin të ruanin Parkun në sheshin Taksim në qendër të Stambollit dhe të mbronin e hapësirën e gjelbëruar nga një projekt ambicioz ndërtimi, tani fjala është për paqen e brendshme, e cila bëhet gjithnjë e më e brishtë. Të afërmit e minatorëve turq të vrarë nga aksidenti në minierë dhe popullsia e zonave rurale e solidarizuar me ta kërcënojnë që së bashku me shtresat urbane të shkrihen në një front të bashkuar protestues kundër Erdoganit. E paqartë është nëse masat, që protestojnë, do të mund dhe do të duan t’i bëjnë rezistencë për një kohë të gjatë dhunës së pamëshirshme të policisë


Erdogani, kandidatura e të cilit për president konsiderohet si e sigurt, vështirë se do të ndryshojë për të mirë, edhe po të ngjitet në postin me të lartë shtetëror. Zgjedhja e tij në votimin e parë më 10 gusht, mund të jetë e dyshimtë, por në raundin e dytë dy javë më pas ai do të jetë me siguri kreu i shtetit. Ndërsa klientela e tij e mëparshme në provincën qymyrgurore të Manisës në Anadollin perëndimor nuk do të votojë më për të, është e vështirë të mendohet që Erdogani dhe partia islamike-konservatore në pushtet AKP do të shënojë humbje të dukshme në potencialin e saj prej afro 50 për qind të votave.

Sikur posti i presidentit turk të ishte një vend vakant në një koncern të madh, Erdogani me siguri që do të kishte shumë pak shanse për t’u punësuar. Politika e tij ndaj Egjiptit dhe Sirisë është e dështuar. Politika e tij ekonomike, deri tani e vlerësuar shumë, po lëkundet, Turqia po humbet tokën nën këmbë në negociatat me BE-në.

Por, Turqia nuk është koncern dhe elektorati nuk është zyra e kuadrit me fuqi vendimmarrëse. Pra Erdogani mund të bëhet president i një vendi, pesha e të cilit po humbet gjithnjë e më shumë. E ardhmja e Turqisë nuk duket më aq rozë, sa ç’paraqitej para një viti, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Një kthesë nuk mund të pritet më për shkak të mungesës së një opozite karizmatike dhe të besueshme. Tani mbetet shpresa për zanën me shkopin magjik, e cila ta shndërrojë Erdoganin në një kryeministër, me të cilin kryetarët e qeverive perëndimore si dhe dhe lindore të kenë dëshirë të fotografohen.

(Autori është drejtues i redaksisë turke në DW)