LAJMI I FUNDIT:

Vëllezërit ortodoksë dhe marksistët myslimanë

Le të ma falë Zoti nëse gaboj, por të krishterin e mirë e çmoj më shumë se myslimanin e keq. Nuk mundem të mbroj diçka vetëm pse është myslimane (e jo islame), po as ta injoroj një të mirë vetëm pse është e huaj (Alija Izetbegoviq).

Ndonëse sa herë që vendosi të shkruaj, më flet dilema se për kë duhet shkruar dhe cili është efekti i kësaj fjale. Përsëri vendosa të shkruaj, sipas meje, për ta pastruar një mjegullnajë që po na krijohet qëllimisht e tinëzisht dhe, sipas të tjerëve, që të krijojë edhe disa armiq nga ata që deri dje mbase më kanë marrë për mik.


Në Maqedoni, në regjionin e Rekës së Epërme të Gostivarit, ka jetuar dikur dhe vazhdon të jetojë edhe sot (megjithëse shumë pak për nga numri) komuniteti i vetëm i shqiptarëve të Maqedonisë që nuk janë myslimanë. Ashtu siç dihet, në Maqedoni shqiptarët në mbi 99 për qind janë të konfesionit islam: shqiptarë katolikë kanë mbetur vetëm disa familje, ndërsa fati i ortodoksëve shqiptarë ishte më i hidhur – ata janë tretur në maqedonas dhe gjatë gjysmëshekulli kanë pasur drojë ta shfaqin përkatësinë e tyre etnike.

Në mungesë të një përkrahjeje shtetërore nga Shqipëria (e cila nuk çanë kokë as sot për kiblën e shqiptarisë – Muzeun e Alfabetit në Manastir), si dhe pa përkrahje politike nga shqiptarët e tjerë të Maqedonisë, të cilët sa nga paragjykimet religjioze, po aq edhe nga mungesa e fuqisë për vete, i harruan vëllezërit e tyre të krishterë. Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë tashmë janë tjetërsuar dhe shumë pak prej tyre sot e kanë ruajtur gjuhën shqipe. Shumë pak prej tyre flasin shqip nëpër shtëpitë e tyre dhe shumë pak prej tyre janë të gatshëm t’i kthehen origjinës së tyre.

Kundruar kështu, fakti që sot po bëhen përpjekje që këtyre shqiptarëve t’u hapen dyert e rikthimit, qoftë përmes afirmimit të figurave të historisë së tyre, qoftë përmes angazhimeve të tjera, përbën një lajm të mirë. Madje, që ky rikthim i tyre në vatrën tonë të përbashkët të ishte i plotë, kujtoj se ka nevojë që atyre t’u mundësohet një kishë ortodokse me meshë shqipe, që nuk do të jetë as e Janullatosit, as e Stefanit, por që do të jetë si ajo e At Nikollës nga Elbasani, në mënyrë që ata dhe fëmijët e tyre të fillojnë të mbështillen rreth strumbullarit etnik, nga i cili janë shkëputur. Bile, nëse Nevzat Bejta e mban premtimin për këtë kishë, nuk do të hezitoja aspak që vet i pari të marr pjesë në përurimin e në meshën e parë shqipe të saj.

Ndërkaq, për neve qytetarëve të thjeshtë, që nuk kemi më shumë fuqi, mbetet detyrim që shqiptarët ortodoksë t’i pranojmë si vëllezër të një gjaku, si bashkëkombës me të cilët duhet bashkëpunuar dhe bashkëjetuar si me të gjithë shqiptarët e tjerë. Ata janë vëllezërit tanë ortodoksë shqiptarë.

Pasi që kemi sqaruar se kush janë vëllezërit tanë ortodoksë, të sqarojmë tash se kush janë marksistët tanë myslimanë. Ata janë disa shqiptarë deklarativisht myslimanë, madje edhe me emra profetësh të historisë islame, ndërsa veprimet i kanë krejt në kundërshtim me përkatësinë e tyre fetare zyrtare. Ata janë ata shqiptarë që rikthimin e shqiptarëve ortodoksë dëshirojnë ta shndërrojnë, së pari, në përfitim të tyre politik dhe, së dyti, në tjetërsim të identitetit religjioz të shqiptarëve të Maqedonisë.

Kur flasim për pikën e parë, do të duhet të themi se ata, duke i përdorë disa ortodoksë shqiptarë, përpiqen të na bindin se sa shumë kujdesen për shqiptarët, se atyre u dhimbset edhe fati i hidhur i shqiptarëve ortodoksë, që detyrimisht duhet të përkthehet se derti i tyre për mbrojtjen e shqiptarëve të Maqedonisë i ngjan jo më pak se dertit që kishte Ismail Qemali a Hasan Prishtina për shqiptarët. Nëse do të duhej t’u besonim përrallave të tyre, kjo do të thoshte se nëse ata i mbrojnë me aq përkushtim më pak se 1 për qind ortodoksët shqiptarë, i bie se janë të stërkujdesshëm për shqiptarët e tjerë myslimanë. E, se kjo nuk është kështu, për këtë kemi dhjetëra shembuj, ndërsa mjafton të kujtohet Burmalia, Ibni Pajko, xhamia e Manastirit, e të mos flasim për ofendimin e fyerjen publike pa asnjë pardon të myslimanëve shqiptarë të Maqedonisë nga disa hardhuca të afërt me partinë shqiptare në pushtet e shumë e shumë shembuj të tjerë, që flasin se ata i shohin shqiptarët ortodoksë jo si vëllezër në aspekt kombëtar, siç dua t’i shoh unë, por si mjet që u shërben për zgjatjen e pushtetit të tyre.

Në këtë mënyrë, ata e nxisin dekorimin e një shkrimtari, që thuhet se është ortodoks shqiptar, si akademik Mateja Matevski, i cili për hir të së vërtetës kurrë nuk ka pohuar se është shqiptar dhe kurrë nuk ka shkruar asnjë fjalë shqip, e lëre më ta ketë vuajtur përkatësinë e tij etnike, ndërkohë që i nëpërkëmbin e i lënë në harresë dhjetëra shkrimtarë, artistë e studiues shqiptarë në Maqedoni, që nga albanologët akademik Ali Aliu, e prof. Remzi Nesimi, shkrimtarët Murat Isaku, Abdylaziz Islami, Rexhep Zllatku, Xhabir Ahmeti, Shkëlzen Halimi, Kim Mehmeti, Nehas Sopaj, Halil Zendeli, Resul Shabani, po edhe më të rinjtë si Salajdin Salihi e Lindita Ahmeti, pastaj artistët Bajrush Mjaku e Refet Abazi… që gjithë që jetën i kanë shërbyer kulturës shqiptare në Maqedoni, madje duke e paguar edhe me çmim shumë të lartë këtë përkushtim për karrierën e tyre dhe të familjeve të tyre. Nga kjo del ashiqare se halli i marksistëve myslimanë, që perëndi e kanë Enver Hoxhën, nuk është te vëllezërit ortodoksë, por thjesht te mënyra e mbledhjes së kokrrës, që në gjuhën e marksizëm-leninizmit quhet agjitacion dhe propagandë.

Ndërkaq, në lidhje me pikën e dytë – tjetërsimin e identitetit religjioz të shqiptarëve të Maqedonisë – duhet theksuar atë që ndodhë me figurën e Josif Bagerit. Për hir të së vërtetës, Bageri ka qenë një rilindës që detyrimisht duhet afirmuar e respektuar si pjesëtar i ortodoksëve shqiptarë të Maqedonisë, por afirmimi i tij do të kishte kuptim vetëm pasi që të afirmoheshin dhjetëra rilindës e patriotë të tjerë shqiptarë, që e kanë paguar me jetë angazhimin e tyre politik e patriotik. Botimet e shumta për Bagerin, e sidomos vendosja e planifikuar e bustit të tij në sheshin e Shkupit, do të kishin kuptim dhe vlerë vetëm nëse ai do të ishte njëri nga të tjerët, si: vëllezërit Frashëri, Vehbi Dibra, Said Najdeni, Dervish Cara, Rexhep Voka, Ferhat Draga, Azem Morana, Gjon Serreçi, Sadedin Gjura, Hasan Bilalli, Mahmud Dumani, Halim Orana, Sulë Hotla, Xhemë Gostivari, Mefail Zajazi, Mehmet Gega etj.

Në mungesë të tyre e në prani të një prifti katolik, që po ashtu nuk e përfaqëson identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë, dhe në prani të një ish-komunisti, që hiç më pak ka qenë pjesëmarrës, së paku pasiv, në zhdukjen e Azem Moranës me shokë, e të Agës Sulë, pra Nexhat Agollit, jepet mesazhi se identiteti i shqiptarëve të Maqedonisë paska qenë katolik – kjo përmes figurës së Pjetër Bogdanit – pastaj ortodoks përmes Josif Bagerit, dhe, në fund, komunist përmes figurës së Nexhat Agollit.

E, kur kjo përkthehet me gjuhë politike, i bie se Bogdani është përfaqësues i lidershipit të PDSH-së, Bageri është përfaqësues i lidershipit të BDI-së, ndërsa Nexhat Agolli simbolizon marksist-leninistët e sotëm të Maqedonisë, që sot shtiren si demokratë dhe, ndonëse e shajnë Zotin dhe i bëjnë sexhde Marksit, shtiren se i duan ortodoksët shqiptarë. Është ky një trinitet në të cilin është përjashtuar qëllimisht përfaqësimi i vërtetë i shqiptarit tipik të Maqedonisë. Është ky një trinitet që synon ta rrumbullakojë identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe përfundimisht ta thyejë identitetin e theksuar mysliman të këtyre shqiptarëve, i cili u është bërë halë në sy marksistëve të devotshëm myslimanë, duke e dëmtuar kështu jo vetëm trungun shqiptar të Maqedonisë, por duke nxitur edhe urrejtje ndërfetare me vëllezërit tanë ortodoksë. Një psikologji tipike staliniste: ose je si unë e me mua ose je kundër meje dhe prandaj kam të drejtë të konsideroj se hiç nuk je!