Vëllaznimi ia shkakton Bashkimit humbjen e parë sezonale

Seria perfekte e Bashkimit në Superligën e Kosovës i ka dhënë fund të enjten mbrëma, në një sfidë ku Vëllaznimi arriti të dalë me një fitore të rëndësishme nga palestra “Shani Nushi” në Gjakovë me rezultat 74-70.
Vëllaznimi, që e nisi javën në fund të renditjes, arriti fitoren e dytë sezonale, ndërsa Bashkimi regjistroi humbjen e parë pas shtatë triumfeve radhazi.
Ndeshja kishte një domethënie të veçantë për gjakovarët, pasi në stol debutoi trajneri i ri Rajko Krivokapiq – dhe debutimi doli të ishte ideal.
Pas një periudhe të parë të barabartë, 15:15, Vëllaznimi shpërtheu në çerekun e dytë, duke e fituar atë me 26:16 dhe duke krijuar epërsinë që do ta administronte deri në fund.
Bashkimi reagoi pas pushimit, duke e ngushtuar rezultatin me një periudhë të tretë 23:17, por dhjetë minutat e fundit u zhvilluan me ritëm të ngjashëm për të dy ekipet (16:16), çka i mjaftoi Vëllaznimit për të ruajtur avantazhin.
Më i merituari për suksesin e të kuqve ishte Jericole Hellems, i cili shkëlqeu me një double-double prej 22 pikëve dhe 10 kërcimeve, të shoqëruara me dy asistime dhe një top të vjedhur. Kontribut të çmuar dhanë edhe Marques Warrick dhe Ziggy Reid, që shtuan nga 13 pikë secili.
Te prizrenasit, kapiteni Valon Bunjaku u bë lojtari më produktiv me 16 pikë, gjashtë kërcime dhe dy asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur disfatën.
Në javën e ardhshme, Bashkimi udhëton për t’u përballur me Rahovecin 029, ndërsa Vëllaznimi ka një sfidë tepër të vështirë në “Minatori” ndaj Trepçës./Telegrafi/



















































