Ai ishte prekur nga një sëmundje e pashërueshme të cilën e zbuloi vonë. Gjergji Filipi që prej 24 tetorit 2013 drejtonte Institutin e Statistikave. Më parë, ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Kërkimeve në Institutin “Agjenda”.

Gjegji Filipi ka qenë konsulent për një sërë projektesh në fushat e zhvillimit dhe politikave ekonomike të financuara nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe institucione të tjera të mirënjohura ndërkombëtare.


Ai ka patur disa detyra shtetërore, që lidheshin kryesisht me çështjet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbante titullin “Doktor i shkencave”, kishte veprimtari të dukshme universitare dhe mjaft punime shkencore.

Gjergji ishte mjaft i njohur për mediat për shkak të natyrës së tij miqësore, por edhe profesionale. Më shumë si drejtor të INSTAT, ne njerëzit e medieve e njohim si kolegun që pëlqente të bënte analiza dhe krijonte produkte të reja.

Kjo frymë transparence dhe profesionalizmi u pasqyrua dhe tek institucioni që drejtoi, duke e bërë atë më të hapur dhe të kuptueshëm, dhe dobiprurës për qytetarët. /Tch/Telegrafi/