Vdes 24-vjeçari nga Malisheva pas plagëve të marra në aksident trafiku

Shkodran Morina, 24-vjeçari nga Malisheva, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga një aksident trafiku që ndodhi më 15 korrik në qytetin e tij.
Morina ishte goditur nga një veturë ndërsa po kalonte rrugën në vijat e bardha në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë. Pas aksidentit, ai ishte dërguar me urgjencë në QKUK për trajtim mjekësor, por pas disa ditësh në gjendje kritike, ndërroi jetë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Më datë 15.07.2025, në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku një këmbësor (mashkull i moshës madhore) ishte goditur nga një veturë. Pas aksidentit, i lënduari ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Sot jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë. Për vdekjen e viktimës është njoftuar edhe prokurori i shtetit”, deklaroi Elezaj.
Ngushëllimet për vdekjen e të riut i ka shprehur edhe drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Avdi Morina, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e ka kujtuar Shkodranin si një të ri të urtë dhe punëtor.
“Lamtumirë Shkodran! Pas një aksidenti rrugor në qytetin e Malishevës, Shkodrani 24 vjeç u lëndua rëndë, dhe pas disa ditësh në luftë me vdekjen nuk mundi t’i bëjë ballë lëndimeve të rënda që kishte. Shkodrani do të kujtohet si një djalë i urtë, i sjellshëm dhe shumë punëtor. U prefsh në paqe,” ka shkruar ai.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.



































