LAJMI I FUNDIT:

Vdekja e Adem Demaçit, partitë politike e cilësojnë lartë figurën e tij

Vdekja e Adem Demaçit, partitë politike e cilësojnë lartë figurën e tij

Veprimtari i shquar Adem Demaçi ka ndërruar jetë sot në moshën 82 vjeçare, duke lënë pas vetes kështu një bagazh të madh të veprimtarisë së tij për atdhe.

Pas këtij lajmi të hidhur, partitë politike kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjarët e Demaçit, popullin e Kosovës dhe për të gjithë ata që e njohën.

Në një telegram ngushëllimi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së atij regjimi.


” Lidhja Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit. Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb. Qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thuhet në telegramin e LDK-së.

Edhe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shprehur ngushëllimet me rastin e vdekjes së Demaçit.

” Partia Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi. Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave.

Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë. Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë. I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të PDK-së.

Ngushëllime për vdekjen e Adem Demaçit ka shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në telegramin e ngushëllimit të këtij subjekti mes tjerash thuhet se ”

Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona”.

“Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona. Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë. Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin.

Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithçka tjetër. Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë. Je i përjetshëm në zemrat e shqiptarëve, baca Adem!”, thuhet në telegramin e VV-së.

Partia Socialdemokrate ka shprehur gjithashtu ngushëllime për vdekjen e Adem Demaçit, duke theksuar se Baci shquhej për nga modestia dhe dinjiteti.

“Partia Socialdemokrate shpreh pikëllimin e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Bacës Adem Demaçi. Veçanërisht ngushëllojmë familjarët e të afërmit e Bacës Adem, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, dashamirët e tij, popullin e Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar. Sepse baca Adem ishte i të gjithëve, dhe tërë jetën e tij ua kushtoi të gjithëve, universalisht lirisë e barazisë, rezistencës e luftës kundër shtypjes, paqes e solidaritetit.

Përpjekja afatgjatë popullore e shqiptarëve të Kosovës për liri e barazi, për dinjitet e zhvillim, përshkruhet përmes dy lloj angazhimesh: rezistenca e organizuar aktive (herë ilegale e herë gjysëm-legale) dhe lufta e armatosur.

Të dy këto faza të angazhimit lidhen me dy prijëtarë e pishtarë, dy Bacët : Adem Demaçi dhe Adem Jashari!

Baca Adem Demaçi simbolizon virtytin më të lartë të angazhimit politik karshi një shtypjeve të egër kolonizuese që shpërfillte të drejtat elementare njerëzore sikur ato kombëtare e sociale të Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë. Në këtë drejtim 28 vitet e burgosjes së Bacës Adem, më shumë se çkado tjetër, shpërfaqnin gënjeshtrën formale të ‘Jugosllavisë së popujve të barabartë’. Baca Adem me qëndrimin e tij tregoi se Jugosllavia dhe Serbia kishin instaluar regjim kolonial në Kosovë që shtypte e përndjekte, dëbonte dhe vriste shqiptarët. Pra ishte regjim që mbijetonte përmes represionit, e jo pushtet demokratik i vullnetit popullor.

Siç e thoshte në poezinë e tij Agim Spahiu :

Ishe djalë me fytyrë të paqtë e me këmishë të bardhë
Ishe djalë,
Dhe pe larg…. ky ishte faj?

Por, në anën tjetër, Baca Adem emanciponte politikisht. Për së brendshmi frymëzonte qindra e mijëra njerëz dhe u tregonte atyre për rëndësinë e qëndresës e angazhimit për liri, për barazi, për zhvillim, për Republikë dhe për bashkim kombëtar. Nga Baca Adem më së shumti, në Kosovë e jashtë saj mësuam e kuptuam se nuk jemi të lirë dhe se liria nuk vjen pa sakrificë. Përmes rezistencës së tij, e përmes tij, kuptuam se sa e rëndësishme është ta kemi shtetin tonë, sa e rëndësishme është të vendosim vetë për fatin tonë kolektiv, sa e rëndësishme është të jetojmë dinjitetshëm, se si sistemi shoqëror politik që përndjek e shtyp nuk mund të jetë i mirë, edhe kur mundëson kamje, dhe se si sistemi shoqëror e politik që nuk mundëson barazi e mirëqenie nuk mund të jetë i duhuri edhe kur nuk përndjek e shtyp objektivisht.Kështu Baca Adem me qëndresën e tij i tregonte botës se çfarë shtypje ekzistonte në Kosovë, por edhe se në çfarë nivele të lirisë e barazisë ishin arritur nëpër botë.

Baca Adem ishte intelektual i angazhuar. Shkrimtar, gazetar, aktivist për të drejtat e njeriut. Veprat e tij letrare, shkrimet e tij publicistike dhe aktiviteti i tij për të drejtat e njeriut shpërfaqin karakterin e tij emancipues shoqëror. Lexonte Nolin, Samiun, Sartrin, Gëten, Dostojevskin…Modern, fliste si populli, për popullin.

Adem Demaçi nuk e kishte prioritet pushtetin edhe pas çlirimit. Luftonte regjimet, jo popujt. Për liri dhe barazi për të gjithë.

Kritik dhe vetëkritik, Baci shquhej për nga modestia dhe dinjiteti.

Ishte demokrat i bindur. Humanist i lindur. Madhështi. Siç ju njoh botërisht me çmimin « Sakharov».

Nuk ka fjalë të bollshme që mund ta përmbledhin tërë veprën e rëndësishme, të pazëvendësueshme, e të papërsëritshme të Adem Demaçit; në shërbim të lirisë, barazisë, solidaritetit, paqes e popullit. Baca Adem e dëshmoi se njerëz të mëdhenjë mund të lindin nga popuj të vegjël, të nëpërkëmbur. Se madhështia nuk vjen nga madhësia e popullit prej nga vjen, por nga vendosmëria, urtësia e përkushtimi.

E nuk ka as fjalë të bollshme për ta përshkruar pikëllimin për humbjen e tij. Përveç kënaqësisë e krenarisë se vepra e tij do të jetojë e jehojë.

I lehtë i qoftë dheu. E përjetshme qoftë lavdia e tij. I përhershëm qoftë kujtimi për të”, thuhet në telegramin e PSD-së. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Kalo në kategori