Pas vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, PDK kërkon dorëheqjen e Sveçlës

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si një akt moral të përgjegjësisë së tij pas rastit të 27-vjeçarit Agon Fejzullahu në Lipjan, i cili vdiq mëngjesin e së hënës, pak pas arrestimit nga zyrtarë policorë të Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se organet e shtetit duhet t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së rastit.
“Kërkoj përgjegjësi nga organet e shtetit për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarjeje që na ka tronditur të gjithëve. Në emër të PDK-së, kërkoj dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme si një akt moral i përgjegjësisë së tij politike dhe ligjore,” tha ai.
Këtë koment ai e bëri nga foltorja e Kuvendit, pas dështimit për herë të 44-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë. /Kp/

















































