LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon shekulli i mbrapsht shqiptar…

Vazhdon shekulli i mbrapsht shqiptar…

Mbrëmë, në ambientet e librarisë “Dukagjini” në Prishtinë, u mbajt një bisedë me shkrimtarët Jusuf Buxhovi dhe Ramadan Musliu, rreth temës “Shekulli i mbrapshtë shqiptar në letërsinë shqipe”, me fokus te “Trilogjia gjermane” e Jusuf Buxhovit që doli kohë më parë nga shtypi dhe pati disa promovime.

Shkrimtari Buxhovi theksoi se shekulli i mbrapsht shqiptar po vazhdon dhe se, për ndryshim nga Kadare që trajton “vitin e mbrapsht shqiptar”, shtrirjen kohore dhe hapësinore të këtij fenomeni e sheh në tragjiken me të cilën u ballafaqua bota shqiptare gjatë shekullit të fundit në planin shoqëror, politik dhe intelektual, me ç’rast ajo jo vetëm që nuk ishte në gjendje të mbetet në kahun e kthesave historike me të cilat u sfidua (ato pas pavarësisë më 1912, dy luftërat botërore dhe nga rrënimi i komunizmit nga viti 1989 e deri sot), por, si për çudi, në çastet vendimtare u kthye mbas, bëri hapa antihistorik kundër vetës!

Kështu, më 1912 kur u shpall pavarësia dhe ishte në prag një etapë e re e kthimit kah qytetërimi evropian, me parullën “Duam babën” u kërkua rikthimi te pushtuesi osman me çka u përfshi në një luftë vëllavrasëse mbi bazat fetare! Në kohën kur bota po përcaktohej midis ideologjisë dhe demokracisë, midis Lindjes dhe Perëndimit, ajo zgjodhi ideologjinë komuniste të formës më brutale – stalinizmin, ndërkohë që edhe në proceset kur filloi një lëvizje antistaliniste, shqiptarët u përcaktuan për gullagun komunist. Kjo ndodhi edhe në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta në Kosovë, kur kërkesës për republikën e Kosovës iu kundërvu parulla për irredentizmin ideologjik të formës staliniste. Ajo që e bën edhe më absurde sjelljen antihistorike të shqiptarëve, ka të bëjë me sjelljen e politikës shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni këto njëzet vitet e fundit, kur ideologjia majtiste po riinkarnohet në politikën shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.


Kështu, në trekëndëshin politik shqiptar, proceset e tranzicionit shoqëror, në vend se të zhvillohen në përputhje me vlerat demokratike perëndimore, siç është liria dhe demokracia, ato janë vu në binarët e krimit të organizuar global! Mafia aktuale politike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, me këtë sjellje, shekullin e mbrapsht shqiptar e ka kthye në një armë kundër botës shqiptare, me të cilën rrezikohet qenia shtetërore e dy shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) si dhe identiteti etnik dhe kombëtar!

Edhe shkrimtari Ramadan Musliu theksoi se shekulli i mbrapsht shqiptar po vazhdon dhe se shkaqet duhet parë edhe te ndërgjegjja politike dhe ajo intelektuale si dhe deficitet e shfaqura në kuadër të zhvillimeve të këtij shekulli që kanë përcaktuar rrugën tonë për të ardhur deri te një gjendje ku sjellja intelektuale e padinjiteshme dhe servile e pjesës më të madhe të klasës intelektuale ka prodhuar politikë antikombëtare dhe antidemokratike me të cilën po ballafaqohem sot dhe ka rrezik që po vazhdoi kjo gjendje, atëherë të futemi në një qorrsokak historik.

Në ketë bisedë, që e udhëhoqi Iliriana Hasaj me mjaft shkathtësi u cek roli i letërsisë në rrethanat e krizave të mëdha si dhe roli i shkrimtarit që të jetësojë kuadrin e tragjikes që përcjell ato. /Esad Dujaka/Telegrafi/