Çmimet e arit dhe argjendit kanë shënuar sot një rënie të fortë, duke nxitur një valë shitjesh në tregjet globale dhe duke goditur aksionet e kompanive minerare si edhe fondet e lidhura me metalet e çmuara.

Në orët e para të tregtimit në SHBA, çmimi i argjendit u ul me rreth 15 për qind, duke zbritur në afërsisht 98.66 dollarë për ons dhe duke rënë sërish nën kufirin psikologjik prej 100 dollarësh.


Ndërkohë, ari humbi rreth 7 për qind të vlerës, duke u tregtuar në nivelin 5,009.46 dollarë për ons.

Rënia u reflektua edhe në tregun e kontratave të së ardhmes.

Kontratat e arit me maturimin më të afërt në New York ranë me 5.5 për qind, ndërsa kontratat 'futures' të argjendit me dorëzim në muajin shkurt pësuan një ulje prej 11 për qind.

Presioni i shitjeve u shtri edhe në metalet e tjera të çmuara - Platini në tregu ra me mbi 14 për qind, ndërsa Paladiumi humbi gati 12 për qind të vlerës.

Këto zhvillime patën ndikim të ndjeshëm edhe në bursat botërore, shkruan CNBC.

Në Evropë, indeksi rajonal Stoxx 600 Basic Resources, që ndjek performancën e kompanive minerare më të mëdha në kontinent, ishte në rënie me 3.2 për qind gjatë tregtimit të mëngjesit.

Goditja u reflektua edhe te aksionet individuale.

Fresnillo, prodhuesi më i madh i argjendit në botë i listuar në Bursën e Londrës, regjistroi një rënie prej 7 për qind.

Ndërkohë, në tregtimin para hapjes në Wall Street, aksionet e Endeavour Silver ranë me 14.7 për qind, ndërsa First Majestic Silver me 14.4 për qind.

Rënie të ndjeshme pësuan edhe fondet e tregtuara në bursë (ETF) të lidhura me argjendin. ProShares Ultra Silver u ul me 25 për qind para hapjes së tregut, ndërsa iShares Silver Trust ETF humbi 12.7 për qind.

Megjithatë, pavarësisht rënies së fundit, ari dhe argjendi kishin arritur nivele rekord gjatë vitit 2025, me rritje vjetore prej 65 për qind për arin dhe 150 për qind për argjendin.

Trendi rritës ka vijuar edhe në vitin 2026: që nga fillimi i vitit, argjendi është rritur me 37 për qind, ndërsa ari me 15.4 për qind. /Telegrafi/