Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, ka reaguar ndaj Komunës së Prishtinës, pas dërgimit të faturave për tremujorin e dytë të vitit 2025 (Prill, Maj, Qershor), së bashku me paralajmërimet për dërgimin në përmbarim për ata që nuk paguajnë.

Sipas KRM "Pastrimi", veprimet e Komunës janë të kundërligjshme dhe bien ndesh me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave.


Kjo pasi, sipas Rregullores për ndryshimin dhe plotësimin e saj Nr. 01-030/01-161704/24, datë 06.12.2024, përgjegjësia për faturimin dhe inkasimin e tarifave të shërbimit të mbeturinave i takon vetëm Kompanisë "Pastrimi".

"Dërgimi i faturave dhe njoftimit për mos pagesa për vitin 2025 janë të kundërligjshme sepse të njëjtat bien ndesh me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës. Kjo për faktin se me Rregulloren Nr. 01-030/01-227581/23, dt. 1.12.2023 për Menaxhimin e Mbeturinave dhe Rregulloren Nr.01-030/01-161704/24 dt. 06.12.2024 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave Nr. 01-030/01-227581/23, dt. 1.12.2023, KRM “Pastrimi” është kompetente për faturimin dhe inkasimin e tarifave të shërbimit", thuhet në njoftim.

Neni 4 i ndryshimeve dhe plotësimeve të rregullores përcakton se: "Faturimi i taksës së mbeturinave për amvisëri apo njësi banimi bëhet në baza mujore nga kompania 'Pastrimi' SH.A." dhe se fatura duhet t'u dorëzohet gjeneruesve të mbeturinave më së largu deri në datën 10 të muajit pasues.

Në përputhje me këtë, KRM "Pastrimi" ka kërkuar që Komuna e Prishtinës të ndalojë dërgimin e faturave për tremujorin e dytë dhe të përditësojë qytetarët me informacionin e duhur për pagesat, duke theksuar se çdo pagesë e kryer nga Komuna është një shkelje ligjore.

KRM “Pastrimi” ka shprehur shqetësimin për rrezikun që kjo situatë mund të shkaktojë në financat e kompanisë, duke theksuar se deri tani, kompania ka akumuluar një vlerë prej 2,157,600.00 Euro që ka mbetur e papaguar për shërbimin e ofruar, gjë që rrezikon të pamundësojë kryerjen e shërbimeve të tjera.

“Nga 01 janari 2025 e deri më sot, KRM “Pastrimi” është duke kryer shërbim në tërë territorin e Prishtinës derisa deri më tani nuk kemi pranuar asnjë pagesë nga Komuna e në veçanti një numër shumë i vogël i pagesave është bërë nga vetë qytetarët. Për shërbimin e kryer për këtë periudhë jemi pa inkasim të vlerës 2,157,600.00 Euro, të cilat seriozisht rrezikojnë të pamundësojnë kryerjen e shërbimeve dhe obligimeve që kemi duke e pasur parasysh që të gjitha shpenzimet janë barrë e Pastrimit dhe jo Komunës (deponi, derivate, pagat e punëtorëve, etj)”, thuhet në reagimin e KRM “Pastrimi”.

KRM “Pastrimi” thekson se "ky keqinformim i qytetarëve është duke ardhur si rrjedhojë e veprimeve të kundërligjshme të Komunës së Prishtinës me tendencë të rëndimit të gjendjes financiare të kompanisë".

Kompania gjithashtu njoftoi se nëse deri më datën 20.04.2025 Komuna e Prishtinës nuk do të marrë veprime të duhura për të korrigjuar situatën, do të procedohet me dërgimin e detyrimeve të papaguara në përmbaruesit privat, sipas ligjit për Procedurën Përmbarimore.

Në këtë kuadër, KRM “Pastrimi” ka kërkuar që Komuna e Prishtinës të ndalojë çdo keqinformim të mëtejshëm dhe të ndihmojë qytetarët të kuptojnë se pagesat për shërbimin e mbeturinave duhet të bëhen drejtpërdrejt te kompania "Pastrimi".

“Pas datës 20.04.2025 ne do të procedojmë të gjithë ata që nuk kanë paguar obligimet e tarifave për këtë periudhë kohore tek Përmbaruesi Privat. Ndërkaq sa i përket thirrjeve të Komunës dhe komunikimeve zyrtare që keqinformojnë qytetarët si në rastet kur zyrtarë të DSHP-së përmes emailave zyrtare si dhe faturave dhe vërejtjeve të dërguara përmes postës, ju njoftojmë që peshën e përgjegjësisë financiare dhe përgjegjësisë ligjore do ta bart Kryetar i Komunës dhe pjesa tjetër e menaxhmentit të Komunës”, thuhet në reagimin e KRM “Pastrimi”. /Telegrafi/