LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon gjykimi për vrasjen në “Cobra City” më 2023, dëshmitari jep versionin e ngjarjes

Vazhdon gjykimi për vrasjen në “Cobra City” më 2023, dëshmitari jep versionin e ngjarjes

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi në lidhje me vrasjen e rëndë në lokalin “Cobra City” në Prizren më 2023. Në këtë seancë ka dhënë versionin e ngjarjes dëshmitari Tafil Kurtishaj.

Të akuzuarit në këtë rast janë Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj, të cilët u paraqitën sërish në Gjykatën e Prishtinës më 10.02.2025.

Ndaj Dibran Hoxhës rëndon akuza për vrasjen e rëndë të viktimës V.C. Kurse katër të akuzuarit e tjerë akuzohen, për pjesëmarrje në rrahje, manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje.


Në seancën gjyqësorë të së hënën, ka dhënë dëshminë dëshmitari Tafil Kurtishaj. Ai tha se në ditën kritike ka qenë duke performuar si këngëtar në lokalin “Cobra City”.“E kam cekë edhe ma herët unë si këngëtar kam bo punën time, përveç pronarin që kom pasë muhabet edhe jemi marrë vesh bashkë me bashkëpunu tjerët nuk i njoh edhe shumë si staf. I njoh si figura” – tha dëshmitari Kurtishaj.

Ai rrëfeu se pasi që kishte përfunduar radhën e tij për këndim, kishte vazhduar një koleg i tij, ndërsa siç tha, ai kishte shkuar te një muzikant që kishte qenë në qosh te lokali dhe me të ishin konsultuar rreth muzikës.

Siç theksoi më tutje dëshmitari, të njëjtit kishin qenë afër tualeteve të lokaleve dhe pastaj tha se kanë parë tollovi larg nga pjesa që kishin qenë atje.

“Një tollovi që nuk u vërejke larg distancës edhe qartë filluan edhe mysafirët me ikë” – tha Kurtishaj.

“Kur kanë ardhë Policia unë e kom pa që lokali ka qenë i thyer i, dëmtuar, kur kemi dalë aty ka qenë edhe Policia prezent dhe kemi pa që lokali ka qenë i dëmtuar jashtë mase shumë. Ka pasë të thyera dyer, xhama, tavolina dhe aty bashkë me Policinë ka qenë edhe Dibrani [Hoxha]” – tha Kurtishaj.

Për dëshmitarin pati pyetje mbrojtësi i të akuzuarit Dibran Hoxhës, avokati Musa Konxheli.

“Me çka jon shkaktuar ato dëme edhe nga kush janë shkaktuar?”- tha ai.

Dëshmitari tha se nuk ka qenë në dijeni.

“Unë nuk mund ta di sepse unë kam qenë në banjo” – tha Kurtishaj.

“S’mund ta mohoj se sjellja e Dibranit [Hoxha] ka qenë korrekte, ka qenë i qasshëm me punëtorët dhe shumë korrekt në mënyrat e pagesave dhe gjithçka. Ka qenë një ambient ku ka mbizotëru atmosfera. Ka qenë shumë i përgjegjshëm por nuk u ekspozu shumë.” – tha Kurtishaj.

“I qetë, ‘kam pa diçka të pazakontë, normale. Na ka dhënë pjesën e pagesës që kem punuar na ka thënë të nesërmen me dalë punë” – tha Kurtishaj.

I akuzuar, Dibran Hoxha pati pyetje për dëshmitarin.

“A më ke parë armë në dorë mua apo diçka kur jam futur në lokal apo kur kam ardhur aty që e kam nda bakshishin, a më ke vërejtur ndonjë armë në dorë, trup apo diçka?”- pyeti i akuzuari.

“Jo” – u përgjigj dëshmitari Kurtishaj.

Në seancë ka dhënë dëshminë edhe dëshmitarja E.K., për të cilën gjyqtari Kujtim Krasniqi para se e njëjta të paraqitet në seancë bëri të ditur se ka kërkuar nga mediat që të ndalen kamerat.

“Gjykata me datë 06.02.2025 ka pranuar një kërkesë nga dëshmitarja që seanca të mos incizohet nga kamerat për shkak të ruajtjes së privatësisë personale dhe familjare” – tha gjyqtari Krasniqi.

Lidhur më këtë kërkesë të dëshmitares nuk ishte kundër as prokuroria dhe as mbrojtësit e të akuzuarve.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues dhe anëtarët, Ngadhnjim Arrni dhe Vesel Ismaili.

Të akuzuarit nuk kishin pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur, më 07.03.2024.

Dosja e Prokurorisë

Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V.C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të tij “Cobra City” në Prizren.

Sipas aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.

Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit – sipas Dosjes – kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Kobra i cili ishte njoftuar për ngjarjen.

Kështu, në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment. Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.

Më pas, Dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V. Cengu., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në Spital kishte ndërruar jetë.

Për këtë, Prokuroria e ngarkon me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”./Kallxo.com

Në trend Lajme

Më shumë
Cakolli jep tre skenarë, thotë se LVV shkon në 51 deputetë nëse merr 75% të votave të diasporës

Cakolli jep tre skenarë, thotë se LVV shkon në 51 deputetë nëse merr 75% të votave të diasporës

Politikë
PDK e AAK refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

PDK e AAK refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

Politikë
Mushkolaj: Vështirë që opozita e bën qeverinë, posti i kryeministrit është problemi

Mushkolaj: Vështirë që opozita e bën qeverinë, posti i kryeministrit është problemi

Politikë
Rezultatet e zgjedhjeve: LVV e para në 21 komuna, LDK nuk prin në asnjë komunë

Rezultatet e zgjedhjeve: LVV e para në 21 komuna, LDK nuk prin në asnjë komunë

Politikë
Numërohen mbi 99 për qind të votave, rezultatet e fundit nga KQZ

Numërohen mbi 99 për qind të votave, rezultatet e fundit nga KQZ

Politikë
KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

Lajme
Kalo në kategori