Site icon Telegrafi

Vazhdojnë dorëheqjet e serbëve, kësaj radhe dhjetë prokurorë largohen nga Prokuroria e Mitrovicës

Zyrtarët serbë kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme dorëheqjet nga institucionet e Kosovës.

Pëveç deputetëve të Listës Serbe që dorëzuan mandatet në Kuvendin e Kosovës, policëve të cilët dorëzuan armët dhe uniformat, dorëheqje kanë dhënë edhe dhjetë prokurorë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Kështu ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një njoftimi për media.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës sot është njoftuar me ofrimin e dorëheqjes së 10 prokurorëve të komunitetit serb të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës. Po ashtu, dorëheqje kanë ofruar edhe stafi administrativ nga komuniteti serb i kësaj prokurorie”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me situatën e krijuar pritet të mbajë takim, ku do të njoftojë me kohë për veprimet që do të merren.​

Të shtunën më 5 nëntor 2022, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version