Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha sot se vazhdojnë të përballen me vatra të reja zjarri edhe në fshatrat përreth Pakashticës, si Metehia dhe Repa.

Bulliqi në një postim në Facebook shkruan se situata është e rëndë dhe kërkon angazhim të përbashkët.


“Po vazhdojmë të përballemi me vatra të reja zjarri edhe në fshatrat përreth Pakashticës, si Metehia dhe Repa. Ekipet tona janë të angazhuara maksimalisht në terren, me mbështetjen edhe të Agjencisë për Menaxhim Emergjent dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Situata është e rëndë dhe kërkon angazhim të përbashkët. U bëj thirrje qytetarëve të këtyre zonave që të tregojnë bashkëpunim me zjarrfikësit dhe policinë, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve dhe të mbrojmë pronat.

Jemi bashkë në këtë sfidë!”, shkruan ai. /Telegrafi/