Varroset polici Arben Sejdiu, hetimet vazhdojnë

Në momentin e vrasjes polici ndodhej jashtë detyrës zyrtare, por me gruan dhe djalin gjashtë muajsh ishte mysafir në shtëpinë e axhës së tij. Ai u ekzekutua në sy të familjarëve dhe brenda mureve të shtëpisë, në dhomën e ndejës.
Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, Drejtoria e Hetimeve e Policisë është duke i vazhduar hetimet.
Bëhet e ditur se deri tani janë intervistuar 10 persona lidhur me vrasjen, si dhe janë bastisur gjashtë shtëpi, raportoi Zhurnal.
Autoritetet e Kosovës, si drejtori i përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi dhe ministri i Punëve të Brendshme në largim, Bajram
Rexhepi kanë ngushëlluar familjen e të ndjerit Arben Sejdiut, duke premtuar luftë kundër krimit dhe zbardhjen e rastit.
Që nga krijimi i saj, në vitin 1999, Policia e Kosovës deri më tash ka humbur 12 pjesëtarë të saj, të vrarë në mënyra të ndryshme. /Telegrafi/





















































